Ronald Araujo ka sqaruar të ardhmen e tij duke thënë se nuk ka ndërmend të largohet nga Barcelona, pavarësisht spekulimeve që e lidhin me një transferim të mundshëm këtë verë.
Në një deklaratë për mediat, mbrojtësi uruguaian u shpreh qartë se do të qëndrojë te Barcelona.
“Për mua, po, do të qëndroj te Barça”. Këto fjalë erdhën pas rikthimit të tij në stërvitje në Ciutat Esportiva Joan Gamper, duke treguar vendosmërinë për të qenë pjesë e skuadrës së Hansi Flick.
Situata te Barcelona është e ngarkuar në repartin e mbrojtjes, me pesë qendërmbrojtës aktualisht në dispozicion. Drejtori sportiv Deco ka konfirmuar se njëri prej tyre duhet të largohet për të balancuar skuadrën para mbylljes së afatit kalimtar.
Ndërkohë, Hansi Flick ka në plan të llogarisë në Pau Cubarsí dhe Inigo Martínez për sezonin e ri. Edhe Eric García po fiton terren falë fleksibilitetit dhe përkushtimit të tij, të vlerësuar nga trajneri gjerman.
Në këtë rrethana, vetëm dy emra mbeten potencialisht në listën e largimeve: Ronald Araujo dhe Andreas Christensen. Mirëpo, të dy lojtarët duket se nuk kanë ndërmend të largohen.
Araujo ka një klauzolë lirimi prej 60 milionë eurosh, e vlefshme deri më 15 korrik, por ai nuk po tregon asnjë sinjal se dëshiron ta aktivizojë atë. Ndërkohë, edhe Christensen nuk ka shfaqur interes për të ndryshuar ambient.
Barcelona duhet të marrë një vendim të vështirë në ditët në vijim, por nëse qëndrimi i lojtarëve nuk ndryshon, klubi rrezikon të mos arrijë qëllimin e tij për të shkurtuar listën e mbrojtësve qendrorë për sezonin 2025/26.