Mesazhet me Pfizer gjatë Covidit, Von der Leyen përballet me votë mosbesimi në Parlamentin Europian

- Bota Sot

Mesazhet me Pfizer gjatë Covidit, Von der Leyen përballet me votë mosbesimi në Parlamentin Europian

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, po përgatitet të përballet me një votë mosbesimi në Parlamentin Europian.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, Von der Leyen pritet t’i mbijetojë lehtësisht votës së së enjtes për mocionin e mosbesimit, i cili teorikisht mund të çojë në rrëzimin e Komisionit që ajo drejton. Por, megjithëse mbijetesa e saj konsiderohet e sigurtë, The Guardian shkruan se debati ka nxjerrë në pah pakënaqësinë në rritje mes eurodeputetëve centristë, të qendrës së majtë dhe të gjelbërve, të cilët vetëm një vit më parë votuan për ta rikthyer atë në detyrë, pas zgjedhjeve që u dhanë nacionalistëve të djathtë rezultatin më të mirë ndonjëherë.

Mocioni i mosbesimit – i paraqitur nga eurodeputeti rumun i ekstremit të djathtë dhe skeptik ndaj vaksinave, Gheorghe Piperea – lidhet zyrtarisht me refuzimin e von der Leyen për të publikuar mesazhet e shkëmbyera me shefin ekzekutiv të kompanisë Pfizer në kulmin e pandemisë së Covid-it. Refuzimi i saj për të dorëzuar këto mesazhe është dënuar nga gjykata më e lartë e BE-së dhe është përshkruar si “keqadministrim” nga një organ i pavarur mbikëqyrës.

Poashtu në mocion përfshihen edhe kritika ndaj fondeve të rimëkëmbjes nga Covid-i dhe bazës ligjore të një fondi të mbrojtjes prej 150 miliardë eurosh, si dhe pretendime të pabazuara për ndërhyrje në zgjedhjet e fundit në Gjermani dhe Rumani.

Lidhur më çështjen, në një paraqitje sfiduese në Parlamentin Europian të hënën, von der Leyen ka hedhur poshtë “pretendimet e rreme për ndërhyrje në zgjedhje” dhe përpjekjet për të “rishkruar historinë” mbi mënyrën se si “Evropa e përballoi me sukses një pandemi globale, së bashku”.

Kujtojmë se vetëm një vit më parë, pas zgjedhjeve europiane, von der Leyen u rizgjodh për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Europian, me mbështetjen e forcave politike kryesore: të qendrës së djathtë, të qendrës së majtë, centristëve dhe të gjelbërve.



Read it all at Bota Sot