Zyrtare: Brahim Shatrolli emërohet komandant i Policisë në Lipjan

- Bota Sot

Zyrtare: Brahim Shatrolli emërohet komandant i Policisë në Lipjan

Kapiteni Brahim Shatrolli është emëruar komandant i Policisë në Lipjan.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Pas rastit të fundit i cili ka ndodhur në Lipjan, komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Kapiten Argjend Gashi ka kërkuar lirim nga pozita e Komandantit të Stacionit dhe kërkesa e tij është aprovuar. Në pozitën e Komandantit të Stacionit Policor ne Lipjan, është emruar Kapiten Brahim Shatrolli.”

Ndryshe, sot komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Argjend Gashi ka ofruar dorëheqje morale nga pozita, pas vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu në Lipjan, rast për të cilin dyshohen të përfshirë pesë policë.

Agon Zejnullahu ka vdekur në orët e para të datës 7 korrik, në Lipjan.

Seanca dëgjimore ndaj pesë policëve të dyshuar për rastin e vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, është mbajtur të mërkurën në Lipjan.

Ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka apeluar për hetime të shpejta e të thella.

Sipas pamjeve që janë shpërndarë media dhe rrjete sociale, i ndjeri shihet me duar të lidhura.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta, derisa një protestë është mbajtur dje në Ferizaj, e të tjera janë paralajmëruar.

Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore ende nuk ka raport për vdekjen e 27-vjeçarit. 



Read it all at Bota Sot