Beqir Vukoviq dhe polemikat në Mal të Zi rreth çmimit shtetëror: Çfarë i nxiti ato?

- Bota Sot

Beqir Vukoviq dhe polemikat në Mal të Zi rreth çmimit shtetëror: Çfarë i nxiti ato?

Një pjesë e opinionit publik në Mal të Zi e kundërshton dhënien e çmimit të “13 Korrikut” - nderit më të lartë shtetëror në këtë vend - shkrimtarit Beqir Vukoviq, për shkak të mohimit të kombësisë malazeze dhe mbështetjes së lëvizjes çetnike nga Lufta e Dytë Botërore.

Kjo është edhe arsyeja përse disa qindra qytetarë protestuan më 8 korrik pranë vilës shtetërore Gorica në Podgoricë, ku u organizua një ceremoni për ndarjen e çmimit.

Protesta përfundoi me 14 persona të lënduar dhe me shumë pyetje të hapura rreth përdorimit të forcës.

Çmimi i “13 Korrikut” i jepet për nder të Ditës së Shtetësisë së Malit të Zi një krijuesi, veprat e të cilit përfaqësojnë vlera të dallueshme dhe të qëndrueshme për Malin e Zi.

Më 13 korrik të vitit 1941, në Mal të Zi filloi kryengritja antifashiste.

Njëri nga tre laureatët e çmimit, Millosh Karadaglliq, kitarist klasik me famë botërore, e refuzoi çmimin.

Përveç Vukoviqit, atë e mori edhe grafisti Velo Stanishiq.

Ato ua dorëzoi kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq.

Çka është e diskutueshme për librin e Beqir Vukoviqit?

Vukoviq e mori çmimin për krijimtarinë letrare në vitin 2024, konkretisht për librin “Shtëpitë e të pastrehëve”.

Ai tha se libri është i regjistruar në Bibliotekën Kombëtare të Serbisë.

Megjithatë, në faqen e internetit COBISS, e cila është një bazë e të dhënave të të gjitha bibliotekave në Serbi, thuhet se libri është “në shtyp”.

Përveç kësaj, thuhet se “asnjë bibliotekë në sistemin COBISS.SR nuk ka kopje të këtij materiali”.

COBISS është shkurtesë për Co-operative Online Bibliographic System and Services - një sistem informativ që përfshin mbi 270 biblioteka në Serbi dhe është pjesë e një rrjeti rajonal bibliotekash.

Libri nuk është i regjistruar as në Mal të Zi dhe nuk gjendet as në librari apo biblioteka.

Çka është e diskutueshme për Vukoviqin?

Në shkrimet e veta, Vukoviq, në vitin 2018, e madhëroi udhëheqësin çetnik nga Lufta e Dytë Botërore, duke pretenduar se ai ishte “udhëheqës i kryengritjes së tretë serbe”.

“Unë besoj se çdo serb që nuk e mbron Drazha Mihajlloviqin, më vonë do të përballet me akuza, sepse nuk e mbrojti Drazhën, një nga udhëheqësit më të mëdhenj serbë…”, shkroi Vukoviq.

Ai i mbështeti politikat e Frontit Demokratik pro-rus të Mandiqit, duke deklaruar se “ato janë e vetmja e vërtetë në qiellin e turbullt politik të Malit të Zi”.

Kundërshtarët e ndarjes së çmimit për Vukoviqin thonë se ai e mohoi kombin malazez përmes teksteve të tij, duke pretenduar se ai është shpikur nga Kominterni - Internacionalja Komuniste, e themeluar në Moskë në vitin 1919.

Duke iu përgjigjur akuzave se ofendon qytetarët që deklarohen si malazezë, Vukoviq tha se kjo është vetëm një “histeri kundër serbëve”.

“Të gjitha sulmet ndaj meje dhe nxjerrjet jashtë kontekstit, deri tek akuzat që i përkas ideologjisë çetnike, janë shpifje, sepse nuk guxon të thuhet se një serb nuk duhet ta marrë Çmimin e ‘13 Korrikut’”, tha Vukoviq për Televizionin e Qytetit, që udhëhiqet nga autoritetet e Podgoricës.

Vukoviq është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Malit të Zi dhe Serbisë, pastaj president i Shoqatës së Shkrimtarëve Serbë të Malit të Zi dhe Hercegovinës, dhe redaktor i revistës “Srpski jug”.

Në vitin 2016, ai i dha çmimin vjetor të Shoqatës së Shkrimtarëve Serbë të Malit të Zi dhe Hercegovinës Aleksandar Duginit, ideologut kryesor të Kremlinit, i cili është mbështetës i pushtimit rus të Ukrainës.

Kritika ndaj dhënies së çmimit shtetëror Beqir Vukoviqit

Pothuajse e gjithë opozita në Mal të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, e dënoi ndarjen e çmimit për Vukoviqin, duke e quajtur atë “nacionalist, shovinist, mohues të kombit dhe shtetit malazez dhe mbështetës të fashizmit”.

Qendra PEN e Malit të Zi vlerësoi se çmimi për Vukoviqin është “shembull i një kolapsi shoqëror dhe vlerash, i orkestruar nga autoritetet malazeze”.

Organizata STEGA (Strategjia për një Mal të Zi Evropian dhe Qytetar) paralajmëroi padi në gjykatë, duke pretenduar se çmimi është dhënë në kundërshtim me ligjin.

Ligji thotë se në një fushë të caktuar mund të jepet vetëm një çmim vjetor. Këtë vit, të tre laureatët janë nga fusha e krijimtarisë kulturore dhe artistike.

Gjithashtu, një peticion nisi për anulimin e çmimit.

Çka thotë shteti?

Nga partitë në pushtet, e vetmja që foli ishte ministrja e Arsimit, Angjella Jakshiq Stojanoviq, duke e bërë problem faktin që të tre fituesit ishin nga fusha e kulturës dhe artit.

“Kjo natyrshëm tregon nevojën për të shqyrtuar nëse arritjet në fusha të tjera, veçanërisht në shkencë dhe inovacion, kanë pasur shans të barabartë për t’u vlerësuar”, tha ajo.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se dhënia e çmimit shtetëror duhet të bazohet në vlerat e antifashizmit, shoqërisë civile dhe demokracisë.

“Kushdo që vendos për dhënien e çmimeve të ‘13 Korrikut’ duhet t’i ketë gjithmonë parasysh këto vlera”, tha zyra e Millatoviqit.

Çmimi u vendos nga një juri me shtatë anëtarë, njëri prej të cilëve ishte regjisori Danillo Marunoviq, i cili nuk u pajtua me mendimin e shumicës.

Ai tha se çmimi është “i kurdisur” dhe se këtë do ta dëshmojë para institucioneve.

Refuzimi i çmimit nga Karadaglliq

Marunoviq e mirëpriti gjestin e Millosh Karadaglliqit, i cili në një letër të hapur falënderoi Kuvendin dhe jurinë për vendimin për t’i dhënë çmimin, por, gjithashtu, tha se nuk mund ta pranojë atë në rrethanat aktuale.

“Për fat të keq, për shkak të rrethanave në të cilat nuk kam pasur ndikim, nuk mund ta pranoj këtë çmim të jashtëzakonshëm”, tha Karadaglliq.

Për shkak të refuzimit të çmimit, ai u vu në shënjestër të dy fituesve të tjerë, veçanërisht të Velo Stanishiqit, i cili, përmes fyerjeve, deklaroi se “Karadaglliq nuk është i denjë për çmimin”.

Aktivistja qytetare në Mal të Zi, Dina Bajramspahiq, vlerësoi se me zhvillimet rreth këtij çmimi, është “kapërcyer çdo kufi i mundshëm”.

“Njëri prej tyre, me karrierë botërore, e refuzoi çmimin. Tjetri, një mbështetës i zjarrtë i Drazha Mihajlloviqit, u përpoq me çdo kusht t’i falsifikonte të dhënat për një libër që askush, as në Mal të Zi e as në Serbi, nuk e ka parë apo lexuar. I treti bëri një deklaratë diskriminuese ndaj romëve...”, tha Bajramspahiq.

Shumë figura publike e përgëzuan Karadaglliqin për refuzimin e çmimit - gjë që ndodhi për herë të parë prej se ai u krijua.

Karadaglliq është një emër i njohur në mbarë botën. Ai ka performuar disa herë në Royal Albert Hall në Londër dhe në Carnegie Hall në Nju Jork, ndërsa BBC Music e ka renditur së voni mes gjashtë emrave më të mëdhenj që kanë formësuar tingullin e kitarës klasike.

Ai jeton në Londër, prej nga - përmes fondacionit të tij - ndihmon talentët e rinj në Mal të Zi.

Pjesa financiare e çmimit vjetor “13 Korriku” është sa dymbëdhjetë paga mesatare bruto në Mal të Zi./REL



Read it all at Bota Sot