Pio Esposito do të jetë pjesë e skuadrës së Interit për sezonin 2025/2026, pasi klubi ka vendosur të mos e shesë talentin e ri, pavarësisht interesimit të madh nga brenda dhe jashtë Italisë.
Pas një sezoni të mirë me Spezian dhe paraqitjes mbresëlënëse gjatë Kupës së Botës për Klube – ku shënoi një gol vendimtar kundër River Plate – Esposito ka bindur drejtuesit zikaltër për të qëndruar në ekipin e parë. Vendimi është marrë nga bordi drejtues i klubit, përfshirë Giuseppe Marottën, Piero Ausilion dhe Dario Baccin, të cilët kanë refuzuar plot 13 oferta për 19-vjeçarin.
Mes klubeve të interesuara janë ekipe të njohura italiane si Bologna, Napoli, Lazio, Fiorentina, Cagliari, Parma, Como, Sassuolo dhe Torino, si dhe skuadra të huaja të rëndësishme si Basel, Leicester City, Ajax dhe Nottingham Forest. Ofertat kanë qenë të ndryshme – nga huazime me të drejtë blerjeje, deri te transferime të përhershme – por të gjitha janë refuzuar.
Cristian Chivu, trajneri i ri i Interit, do të ketë në dispozicion një grup të balancuar mes lojtarëve të afirmuar dhe të rinjve premtues, dhe Pio Esposito është ndër emrat më të rëndësishëm që pritet të ketë një rol konkret këtë sezon.