Pedro: Fluminense më bëri lojtar

- Bota Sot

Pedro: Fluminense më bëri lojtar

Zhoao Pedro, në ndeshjen e parë si titullar me Çelsin, rezultoi njeriu i kualifikimit për në finalen e Kupës së Botës për klube. Pas të dy supergolave, braziliani i ardhur vetëm rreth një javë më parë te blutë e Londrës, nuk festoi, përderisa Fulminense është skuadra, ku ai hodhi hapat e parë dhe e bëri të njohur.

“Kur isha i ri, nuk kisha asgjë. Ai klub më dha gjithçka”, deklaroi për mediat Pedro, pasi dy golat e tij siguruan fitoren 2-0 të Çelsit ndaj ekipit Brazilian. Në moshën 23- vjeçare, ish-lojtari i Uolvesit dhe Brajtonit është tashmë në një klub të madh.

Ai nisi gjithçka në akademinë e Fluminenses kur ishte 10-vjeçar, për t’u transferuar tek Uatfordi në moshën 18-vjeçare dhe te Brajtoni në moshën 21 vjeç. Debutoi me Brazilin në nëntor 2023, por si shumë nga yjet e futbollit brazilian, do të fitonte dukshëm më tepër para, duke luajtur në Europë.

“Nuk ka kuptim që Brazili të garojë me klubet e Europës sa u takon financave”, tha trajneri i Fluminenses, Renato Gauço. “Klubet braziliane prodhojnë lojtarët dhe i shesin ata në Europë, që të mund të mbijetojnë. Kështu ishte edhe në kohën kur unë isha lojtar”.

Zhoao Pedro iu bashkua Çelsit nga Brajton vetëm më 2 korrik. Por, edhe në momentin e shkëlqimit, ai nuk harroi prej nga vjen. “Fluminense ishte klubi që më shfaqi para botës. Nëse jam këtu, është për faktin se ata besuan tek unë. Kështu që jam shumë mirënjohës”, tha Pedro, i cili bindi londinezët për ta marrë pasi shënoi 19 gola në 58 ndeshje në Premier Ligë për Brajtonin.



Read it all at Bota Sot