Kur sirenat bien, heronjtë zbresin në bodrume – Rusia nuk i kursen as maternitetet në Ukrainë

- Bota Sot

Kur sirenat bien, heronjtë zbresin në bodrume – Rusia nuk i kursen as maternitetet në Ukrainë

Rusia sulmoi një spital materniteti në Ukrainë – në të njëjtën kohë, në Chernivtsi, mjekët po nxirrnin me kujdes fëmijët e sëmurë drejt strehimoreve.

Një video prekëse është shpërndarë sot nga Marta Levchenko, themeluese e qendrës mjekësore për fëmijë “Dim Metelykiv” (Shtëpia e Fluturave), që ndodhet në qytetin e Chernivts.

Në këtë video shihen mjekë dhe infermierë që, me një qetësi heroike, mbajnë në krahë dhe shtyjnë karroca me fëmijë të sëmurë rëndë, duke i çuar drejt strehimores për t’i mbrojtur nga një tjetër alarm ajror.

Kjo qendër është shtëpia e repartit më të madh për kujdesin paliativ pediatrik në të gjithë Ukrainën – një vend ku fëmijët me sëmundje të rënda dhe të pashërueshme marrin trajtim, kujdes dhe dashuri në ditët më të vështira të jetës së tyre.

Por, çdo herë që dëgjohet sirena e rrezikut ajror, këta fëmijë të brishtë, shumë prej tyre të lidhur me aparate mjekësore për të mbijetuar, duhet të lëvizin drejt strehimores – një veprim që vetë nga natyra e sëmundjes së tyre është tepër i rrezikshëm dhe i vështirë.

Ndërkohë, lajmet tragjike vijnë nga pjesë të tjera të vendit: Rusia ka goditur një spital materniteti në Ukrainë, duke vënë në shënjestër jetën më të pafajshme – gratë që lindin dhe foshnjat e porsaardhura.

Këto sulme përbëjnë një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të ligjeve ndërkombëtare humanitare.

Sot, dronët rusë depërtuan edhe në hapësirën ajrore të rajonit të Chernivtsi, duke detyruar personelin mjekësor të ndërpresë trajtimet dhe të fillojë procedurat e evakuimit të brendshëm.

Në mes të kësaj lufte brutale, që nuk kursen as më të pambrojturit, janë njerëzit e zakonshëm – mjekët, infermierët, vullnetarët dhe prindërit – që bëhen heronj të përditshëm. Ata nuk heqin dorë, edhe kur çdo hap që bëjnë është një betejë mes jetës dhe vdekjes. 



Read it all at Bota Sot