Liverpool FC ka marrë një vendim historik dhe emocional, duke tërhequr fanellën me numër 20 në të gjitha nivelet e klubit, në nder dhe kujtim të Diogo Jotës, i cili ka ndërruar jetë pak ditë më parë.
Ky gjest simbolik vjen si një shenjë respekti të thellë për kontributin dhe trashëgiminë që sulmuesi portugez ka lënë pas në “Anfield”.
Vendimi është marrë nga bordi drejtues i klubit në bashkëpunim me familjen e lojtarit dhe trajnerin Arne Slot, duke nënvizuar lidhjen e veçantë që Jota kishte krijuar me skuadrën, tifozët dhe qytetin.
“Diogo Jota do të jetojë gjithmonë në kujtimet tona, jo vetëm si një futbollist i jashtëzakonshëm, por edhe si një njeri i dashur dhe i përulur. Numri 20 do të mbetet përgjithmonë i tij”, thuhet në njoftimin e klubit nga ‘Anfield’.
Gjatë karrierës së tij me Liverpoolin, Jota kontribuoi me gola vendimtarë dhe momente të paharrueshme, duke fituar trofe dhe zemrat e tifozëve anembanë botës. Ai mbetet një figurë ikonike në historinë moderne të klubit anglez.