John Terry ka kritikuar ashpër futbollin modern, duke e quajtur atë “të mërzitshëm”, ndërsa pranon se nuk i pëlqen më të shikojë lojën e ditëve të sotme.
Legjenda e Chelseat gjithashtu përmendi dy ish-bashkëlojtarë të tij që, sipas tij, mund të kishin vështirësi të përshtateshin me stilin e sotëm të lojës: Joe Cole dhe Eden Hazard.
Terry, që luajti 717 ndeshje dhe shënoi 67 gola për Chelsean mes viteve 1998 dhe 2017, është një nga figurat më ikonike në historinë e klubit.
Ai fitoi pesë herë Premier League, pesë FA Cup, tre League Cup, një Europa League dhe një Champions League me “Blutë” e Londrës.
Pas largimit nga Chelsea, ai kaloi një sezon tek Aston Villa në Championship dhe më herët kishte pasur edhe një huazim të shkurtër te Nottingham Forest.
Në arenën ndërkombëtare, ai ishte pjesë e të ashtuquajturës “Gjeneratë e Artë” të Anglisë, por që nuk arriti të fitonte ndonjë trofe madhor.
Me Anglinë, Terry luajti 78 ndeshje dhe shënoi 6 gola, para se të tërhiqej nga kombëtarja në vitin 2012.
Që nga largimi i Terryt, Manchester City ka dominuar futbollin anglez nën drejtimin e Pep Guardiolës, duke fituar gjashtë tituj kampionë që prej vitit 2018.
Megjithatë, Terry nuk është aspak i impresionuar nga stili i futbollit modern.
Në një intervistë për talkSPORT, ai tha:
“Nuk më pëlqen të shikoj futboll. Kur skuadrat luajnë kundër Man City-t dhe vendosin 11 lojtarë pas topit – është shumë e mërzitshme. City përpiqet t’i çajë ata, por është po ashtu e mërzitshme.
Nuk sheh shumë goditje, nuk sheh lojtarë si Eden Hazard apo Joe Cole që t’i ngrenë tifozët në këmbë.”
Terry shprehu shqetësimin se lojtarë krijues dhe emocionues si Cole apo Hazard po bëhen gjithnjë e më të rrallë në futbollin e sotëm.
Joe Cole kaloi shtatë sezone te Chelsea, duke shënuar 39 gola në 282 ndeshje dhe fitoi tre tituj të Premier League, dy FA Cup dhe një League Cup, para se të transferohej te Liverpool në vitin 2010.
Eden Hazard iu bashkua Chelseat nga Lille në vitin 2012 dhe realizoi 110 gola në 352 ndeshje gjatë shtatë sezoneve.
Ai fitoi dy Premier League, një FA Cup, një League Cup dhe dy tituj të Europa League, para se të kalonte te Real Madrid në vitin 2019 për një shumë që fillimisht u raportua rreth 100 milionë euro.
Terry është i bindur se futbolli modern po humb magjinë e tij për shkak të qasjes taktike ultra-defensive dhe mungesës së lojtarëve krijues që dikur e bënin lojën emocionuese për t’u ndjekur.