Rusia sulmon me 26 raketa dhe 597 dronë vetëvrasës Ukrainën, të paktën dy civilë të vrarë

- Bota Sot

Rusia sulmon me 26 raketa dhe 597 dronë vetëvrasës Ukrainën, të paktën dy civilë të vrarë

Rusia të shtunën lëshoi një breshëri të re dronësh dhe raketash ndaj Ukrainës, duke shënjestruar pjesën perëndimore të vendit dhe duke vrarë të paktën dy persona në qytetin Chernivtsi, afër kufirit me Rumaninë.

Qytetet perëndimore të Ukrainës – Lviv, Luck dhe Chernivtsi – ishin më të goditurat nga sulmet ruse, dhe janë prekur gjithashtu edhe rajone të tjera të Ukrainës, tha ministri i Jashtëm Andrij Sibiha.

“Rusia vazhdon të përshkallëzojë terrorin, duke lëshuar një tjetër breshëri prej qindra dronësh dhe raketash, duke dëmtuar zona të banuara, duke vrarë dhe plagosur civilë. Makineria e saj luftarake prodhon qindra mjete terrori çdo ditë. Përmasat e saj përbëjnë kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë komunitetin transatlantik”, tha Sibiha në një postim në X, duke përsëritur thirrjen për sanksione më të forta kundër Moskës.

Raportohet se ushtria ruse ka lëshuar 26 raketa dhe 597 dronë vetëvrasës drejt shtetit ukrainas, ku shumica dërrmuese e tyre u rrëzuan nga ushtria e Ukrainës.

Guvernatori i rajonit të Chernivtsi, Ruslan Zaparanjuk, tha se dy persona u vranë dhe 14 u plagosën kur dronët dhe raketat ruse goditën qytetin, i cili ndodhet rreth 40 kilometra nga kufiri ukrainas me Rumaninë.

Zyrtarët rajonalë njoftuan se në të gjithë qytetin shpërthyen disa zjarre, dhe u dëmtuan banesa dhe ndërtesa administrative.

Në qytetin Lviv, pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë, 46 shtëpi banimi, ndërtesa të universitetit, gjykatat e qytetit dhe rreth 20 ndërtesa ku ndodhen biznese të vogla dhe të mesme u dëmtuan nga sulmi, tha kryebashkiaku Andrij Sadovij.



Read it all at Bota Sot