Mesfushori kroat Luka Modriç është lojtari më i ri i Milanit, pasi ka firmosur një kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër, me një pagë prej 3.5 milionë euro në vit.
Edhe pse ende mungon njoftimi zyrtar nga klubi, Modriç ka përfunduar të gjitha detajet e marrëveshjes dhe pritet të mbërrijë në Milano më 14 korrik për të kryer vizitat mjekësore përpara se të nisë pushimet e shkurtra pas përfundimit të angazhimeve në Botërorin e Klubeve me Real Madridin.
Modriç pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Massimiliano Allegri që në fillim të muajit gusht, ndërsa debutimi i tij mund të ndodhë më 17 gusht në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Barit.
Kalimi i yllit kroat te Milani shihet si një përforcim me peshë për repartin e mesfushës dhe një sinjal i qartë për ambiciet e kuqezinjve në sezonin e ri.