A mund të jenë aeroplanët elektrikë e ardhmja e fluturimit? Danimarka realizon fluturimin e parë provë

- Bota Sot

A mund të jenë aeroplanët elektrikë e ardhmja e fluturimit? Danimarka realizon fluturimin e parë provë

Një aeroplan i vogël që po udhëtonte drejt Kopenhagenit mund t’u jetë dukur i zakonshëm shumicës së danezëve në tokë – por ndryshe nga çdo fluturim tjetër në historinë daneze, ky aeroplan ishte tërësisht elektrik.

Aeroplani elektrik i kompanisë amerikane të hapësirës ajrore Beta Technologies, ALIA CTOL, përfundoi një udhëtim prej 200 kilometrash midis aeroporteve të Sonderborg dhe Kopenhagenit këtë javë, duke shënuar fluturimin e parë provë të Danimarkës me një aeroplan që nuk djeg karburant dhe mund të karikohet në më pak se një orë.

Kompania thotë se aeroplani elektrik me krahë të fiksuar ofron një alternativë të sigurt, të qetë dhe me kosto të ulët.

Ai mund të fluturojë me një shpejtësi maksimale prej 281 km/h, sipas Beta Technologies.

Aeroplani gjithashtu lëshon deri në 84% më pak dioksid karboni sesa një helikopter tradicional me një madhësi të ngjashme.

Ai nisi një turne të madh evropian në maj nga Aeroporti Shannon në Irlandë, shkruan euronews.

Që atëherë ka zbritur në shumë aeroporte në kontinent për të demonstruar funksionimin tërësisht elektrik dhe infrastrukturën e karikimit.

Bëhet e ditur se në gusht, aeroplani do të fillojë të operojë fluturime mallrash midis Bergen dhe Stavanger në Norvegji, si pjesë e testeve mbi aviacionin me emetime zero të udhëhequr nga Autoriteti Norvegjez i Aviacionit Civil.

ALIA CTOL është projektuar për fluturime rajonale dhe mund të konfigurohet për udhëtime pasagjerësh dhe mallrash me deri në pesë vende pasagjerësh.

Beta Technologies thotë se distanca më e gjatë që aeroplani ka fluturuar me një karikim të vetëm është 622 kilometra.

Aeroplani mund të karikohet duke përdorur një karikues të shpejtë standard për vetura elektrike në vetëm 20 deri në 40 minuta.

Në Danimarkë, CEO i Aeroportit të Kopenhagës, Christian Poulsen, tha se aeroporti do të duhet të përshtasë infrastrukturën e tij për të qenë në gjendje të karikojë aeroplanë dhe të akomodojë një përzierje aeroplanësh tradicionalë dhe elektrikë.

Por, kostoja e baterive dhe materialeve të tjera të lehta do të jetë një faktor tjetër me të cilin prodhuesit e aeroplanëve elektrikë duhet të përballen.

Ndryshe, qeveria daneze është zotuar të lansojë itinerarin e saj të parë të fluturimit vendas plotësisht të qëndrueshëm deri në vitin 2025, me një objektiv më të gjerë që të gjitha itineraret vendase të jenë pa lëndë djegëse fosile deri në vitin 2030.

Këtë vit, ajo ka futur një tarifë fikse prej 13 kronerësh danezë (1.74 euro) për pasagjer për të financuar kalimin drejt fluturimit vendas të qëndrueshëm.

Në Norvegji, të gjitha fluturimet vendase synojnë të jenë elektrike ose hibride deri në vitin 2040, ndërsa në Suedi, të gjitha fluturimet vendase duhet të jenë pa lëndë djegëse fosile deri në vitin 2030 dhe fluturimet ndërkombëtare pritet të pasojnë deri në vitin 2045.

Një kompani suedeze-amerikane, Heart Aerospace, po zhvillon një aeroplan me 30 pasagjerë, ES-30, i projektuar për të pasur një rreze veprimi prej 200 kilometrash me bateri të plotë.

Vende të tjera në Evropë, si Holanda, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë testuar gjithashtu aeroplanë elektrikë me madhësi të ngjashme.



Read it all at Bota Sot