Paradoksi tek Interi, as Çalhanoglu nuk e qartëson dot merkaton

- Bota Sot

Paradoksi tek Interi, as Çalhanoglu nuk e qartëson dot merkaton

Merkatoja, me rrugët e ndër likuara dhe shpesh të paparashikueshme, ka sjellë sërish në qendër të vëmendjes emrin e Hakan Çalhanoglusë. Por ndryshe nga sa është përfolur me bujë në Turqi, kalimi i mesfushorit turk te Gallatasaraji është shumë larg realizimit. Sipas burimeve të afërta me klubin zikaltër, oferta e Gallatasarajit për Çalhanoglun ka qenë e barabartë me rreth një të tretën e vlerës që i ka vënë Interi kartonit të tij, pra shumë më pak se 30 milionë euro.

Në këto kushte, një largim i tij drejt Stambollit duket praktikisht i pamundur, veçanërisht në një verë ku klubi turk është i përfshirë edhe në një tjetër operacion të kushtueshëm, transferimin e Viktor Osimhen nga Napoli. Në këtë situatë, krijohet përshtypja se Çalhanoglu është vendosur nën dritën e një lojtari “të konsumuar”, për të cilin duhet domosdoshmërisht të gjendet një dalje, edhe nëse me kompromis. Por e vërteta është krejt tjetër.

Me një bilanc të shkëlqyer në katër sezonet e tij në Milano, 182 ndeshje, 38 gola dhe 32 asistime, Çalhanoglu mbetet një prej mesfushorëve më të kompletuar në Serinë A dhe në Europë. Dhe dëshira e tij për t’u kthyer në atdhe nuk është shprehur kurrë zyrtarisht përballë drejtuesve të Interit. Nëse oferta e vetme konkrete mbetet ajo e Gallatasarajt, atëherë mbajtja e Çalhanoglut nuk është një plan B, por një luks sportiv për trajnerin e ri të Interit, Kristian Kivu.

Pavarësisht dëmtimit në muskujt e këmbës së djathtë që e mbajti larg nga Kupa e Botës për Klube, mesfushori turk është i vendosur të rikuperojë në kohë dhe të jetë gati për të udhëhequr sërish mesfushën zikaltër. Sa për fërkimet e mundshme në dhomat e zhveshjes pas deklaratave të kapitenit Lautaro Martinez, gjithçka mbetet në suazën e tensioneve të natyrshme pas një fund sezoni emocionalisht shterues. Kivu pritet të luajë një rol kyç në rindërtimin e harmonisë dhe rikthimin e unitetit brenda skuadrës. Në fund, me një Çalhanoglu ende 31 vjeç, dhe jo 40, Interi nuk ka pse të nxitojë drejt ndonjë shitjeje. Përkundrazi, mbajtja e tij mund të jetë një nga “blerjet” më të mira të verës.



Read it all at Bota Sot