Juventusi e ka vendosur

- Bota Sot

Juventusi e ka vendosur

E ardhmja e Niko Gonzalezit te Ju ventusi po merr drejtimin e një ndarjeje të pashmangshme.

Klubi bardhezi është i hapur për shitjen e sulmuesit argjentinas dhe tashmë pret ofertat e para konkrete, kryesisht nga Arabia Saudite, e cila ka shfaqur interes të vazhdueshëm për lojtarin.

Sipas “Tuttosport”, Juventusi është i gatshme ta lërë të lirë Gonzalezin për një shumë rreth 30 milionë euro, një çmim që do t’i garantonte klubit jo vetëm përfitim financiar, por edhe fleksibilitet më të madh për goditjet e radhës në merkato. Me largimin e mundshëm të Niko Gonzalezit, zona e sulmit në krahun e djathtë, ku zakonisht vepron ai, do të lirohej për emra të tjerë më në formë dhe më të përshtatshëm me vizionin e trajnerit Igor Tudor.

Një nga objektivat kryesorë mbetet Xhejdon Sanço i Mançester Junajtidit, me të cilin bisedimet janë ndezur prej javësh, por që deri tani janë penguar nga mungesa e hapësirës financiare. Një tjetër skenar lidhet me Fransisko Konseisaon, i cili ka bindur trajnerin dhe konsiderohet një element kyç për projektin e ri. Rruga për blerjen e kartonit të tij do të hapet më lehtë nëse Gonzalez largohet, duke liruar një vend si dhe fonde të mjaftueshme për të realizuar marrëveshjen.

Edhe pse erdhi me shumë pritshmëri, aventura e Niko Gonzalezit në Torino nuk ka prodhuar impaktin që drejtuesit shpresonin. Luhatjet në formë dhe përshtatja jo ideale me sistemin e lojës kanë ndikuar në vendimin e Juventusit për ta nxjerrë në merkato. Tani, gjithçka mbetet në dorën e klubeve saudite.

Nëse oferta prej 30 milionë eurosh mbërrin, pritet të jetë e mjaftueshme për të zhbllokuar një domino të re transferimesh në Kontinasa. Java e ardhshme mund të jetë vendimtare, jo vetëm për Niko Gonzalez, por edhe për profilin e ri ofensiv që po përpiqet të ndërtojë Juventusi.



Read it all at Bota Sot