Fnalja e madhe

- Bota Sot

Fnalja e madhe

Kupa e Botës për Klubet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të luajë sot aktin e saj të mbramë, pikërisht finalen e madhe mes Çelsit e Paris SG.

Këto dolën skuadrat më të denja për trofeun, ndonëse Blutë e Londrës patën një rrugë më të thjeshtë përballë Benfikës, Fluminenses e Palmeirasit, ndërsa parizienët u desh të përplaseshin që në grup me Atletikon e Madridit, pastaj me Bajernin e Realin në fazën më eliminim direkt.

Kush do t’ia dalë sot në orën 21:00 stadiumin “Metlajf” në Nju Xhersi?

Parashikimet thonë PSG, ndonëse historia e futbollit bën thirrje për kujdes, dhe se asnjëherë nuk i dihet.

Një lajm shumë i mirë për londinezët ishte që Moises Kaisedo u kthye në stërvitje 72 orë përpara finales.

Po flasim për mesfushorin më të mirë të ekipit, që u dëmtua ndaj Fluminenses.

Pritet që edhe mesfushori tjetër, Romeo Lavia, të ketë shanse për të luajtur, ndonëse kjo ende nuk është 100 për qind e sigurt, ndërsa Badiashile nuk besohet se përgjigjet në apel.

Trajneri Enzo Mareska duhet të vendosë nëse do ta ketë sërish në formacion brazilianin e ri, Zhoao Pedro, që shënoi ndaj Fluminenses, apo do ta ulë në stol për Liam Delapin, që ishte i pezulluar në gjysmëfinale kundër Palmeirasit.

Bashkë me të kthehet nga pezullimi edhe Koluill. Mungesa ka dhe këto janë tre: Madueke, Gitens dhe Estevao.

Edhe kampionët e Europës kanë minuse. Mbrojtësit Uilliam Paço dhe Lykas Ernandez janë të pezulluar për të dytën ndeshje pasi morën të kuq ndaj Bajernit.

Usman Dembele të paktën është në gjendje për lojë, pasi ishte në fushë 60 minuta kundër Realit, edhe pse mori goditje kundër bavarezëve.

Trajneri Luis Enrike tregon se me çfarë filozofie do të luhet finalja.

“Bravo, bravo. Ne e përfunduam sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Në kemi një ekip me 11 yje. Ky është futbolli. Pra 11 yje. Ne nuk duam vetëm një yll, ne duam 11. Kaq kemi në këtë moment.

Madje, unë do të thoja 13, 14 apo 15. Ky është grupi që kemi. Ky ishte premtimi që I bëmë klubit, që ne do të kishim 11 apo 15 yje.

Pra ylli kryesor është skuadra, dhe tifozët tanë e kuptojnë këtë. Edhe tek tifozët nuk ka një yll të vetëm, që të gjithë ata janë yje.

Ata na mbështesin së bashku. Këtë gjë e kemi kërkuar dhe e kemi realizuar që nga dita e parë që kam ardhur në Paris, dhe kjo përfaqëson klubin tonë”, tha Luis Enrike.

Dy ekipet kanë luajtur 8 ndeshje gjithsej, me 3 fitore të PSG-së, tre barazime dhe dy fitore të anglezëve.

Në katër sfidat e fundit, Çelsi nuk ka mundur të arrijë asnjë sukses.



Read it all at Bota Sot