“Rebeli” Asllani, mesfushori bëhet çështje tek Inter, refuzon ofertat nga jashtë

- Bota Sot

“Rebeli” Asllani, mesfushori bëhet çështje tek Inter, refuzon ofertat nga jashtë

Inter mbylli një vit shumë zhgënjyes, por as e ardhmja nuk duket pozitive, të paktën jo për momentin, pasi drejtuesit e klubit dhe trajneri Chivu janë të detyruar të bëjnë llogaritë me disa çështje të nxehta. Si të mos mjaftojë përplasja publike ndërmjet Calhanoglu-s dhe Martinez, apo e ardhmja e paqartë e regjisorit turk, në shtëpinë zikaltër po lind një çështje e papritur, ajo e Asllanit.

Është e qartë se mesfushori kuqezi nuk bën pjesë në planet e klubit, një vendim me të cilin është njohur edhe vetë lojtari, por La Gazzetta dello Sport zbulon se Asllani po bën rezistencë, mjaftueshëm sa për ta bërë situatën shqetësuese. Këtë periudhë disa ekipe si Betis kanë shfaqur interesim për Asllanin, por mesfushori kuqezi ka refuzuar në mënyrë të prerë, dëshira e tij është të qëndrojë në Serie A. Problem në këtë pikë është shuma që kërkon Inter.

Marotta nuk ka ndërmend ta lëshojë lojtarin nën kosto, pa marrë të paktën shumë që investuan, 15 milionë euro, por kjo është një shifër që ekipet italiane nuk dëshirojnë ta paguajnë, e vlerësojnë të lartë.

Për momentin, dy janë klubet në Serie A që kanë shfaqur interesim për Asllanin, Bologna dhe Fiorentina. Ekipi vjollcë mund të jetë një zgjidhje për futbollistin shqiptar, dhe për Inter, por mbetet për t’u parë se si do të vijojnë negociatat. Ideja e klubit nga Milano është të shesin Asllanin, për të arkëtuar para në mënyrë që të vijojnë të operojnë në hyrje, por nuk përjashtohet as opsioni për një huazim me detyrim blerje.



Read it all at Bota Sot