Në njërën prej deklaratave më provokative prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë në fund të muajit të kaluar se “ku shkel këmba e ushtarit rus – ajo tokë është e jona”.
Premtimet e Moskës në fakt shkojnë shumë përtej tokës që ushtarët e saj kontrollojnë në Ukrainë, pas më shumë se 40 muajve të luftës. Në shtator të vitit 2022, Putin i ka shpallur paligjshëm rajonet e Hersonit, Zaporizhjas, Donjeckut dhe Luhanskut, si territore të Rusisë.
Me deklaratën e fundit Putin ka sinjalizuar se mund të synojë edhe më tepër territor në Ukrainë, ku ushtarët rusë dhe autoritetet ruse akuzohen për çrrënjosje të identitetit kulturor ukrainas dhe përballen me akuza për torturë, abuzime dhe krime tjera.
Në të njëjtën kohë, Rusia zotohet publikisht se do t’ua bëjë jetën më të mirë banorëve të këtyre rajoneve. Në takimin e Qeverisë, të mbajtur më 30 qershor, Putini ka thënë se standardet e jetës në pjesë të Ukrainës që janë pushtuar nga Rusia duhet të arrijnë mestaren e Rusisë deri më 2030.
Aktivistët dhe zyrtarët ukrainas prej këtyre rajoneve nuk pajtohen assesi.
Synimi i Putinit mund të jetë modest, mirëpo nuk është real, sipas tyre, duke cituar vështirësitë nëpër të cilat po kalon vetë Rusia pas nisjes së luftës. Ata e përmendin si shembull përvojën e tyre në Krime, ku standardet e jetës ende lënë për të dëshiruar edhe pse janë bërë 11 vjet prej kur Rusia e ka marrë kontrollin e këtij gadishulli ukrainas, dhe situata nuk ka qenë e mirë edhe para nisjes së luftës së plotë në pjesën tjetër të Ukrainës.
Pas mbledhjes së muajit të kaluar, Putin ka folur për nevojën e rindërtimit dhe renovimit të shkollave, stadiumeve, spitaleve, qendrave kulturore, rrugëve, shtëpive dhe objekteve tjera, duke thënë se “puna sistematike” do të nisë në 300 projekte.
Megjithatë, në terren, në disa zona të pushtuara nga rusët në Herson, ka pak dëshmi, sipas Serhiy Rybalkos, ligjvënës në legjislaturën rajonale të këtij qyteti.
Hersoni është kapur nga forcat ushtarake ruse në fillim të luftës, mirëpo është rikthyer në duart e ukrainasve pas një kundërofensive të zhvilluar disa muaj më vonë.
Rusia e zotëron pjesën më të madhe të territorit në bregun e majtë të lumit Dnjepër, derisa Ukraina e zotëron pjesën kah bregu i djathtë.
“Nuk ka restaurim, nuk ka ndërtim të shkollave dhe asgjë tjetër”, ka thënë Rybalko për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se ideja e ndonjë zhvillimi të suksesshëm nga autoritetet ruse, nuk tingëllon si diçka premtuese, dhe atë për shumë arsye.
“Hersoni është rajon bujqësor”, dhe bujqësia aktualisht është në “rënie të plotë”, ka thënë Rybalko, duke shtuar se shkatërrimi i digës Kahovka nga forcat ruse më 2023 dhe mosriparimi i saj, i ka dëmtuar shumë bujqit dhe e ka vështirësuar rritjen e pemëve dhe perimeve.
“Nuk ka riparime dhe kjo nënkupton që rajoni shumë shpejt do të shndërrohet në shkretëtirë”.
Shumë bujq që e kanë marrë me qira tokën në pjesën e pushtuar nga Rusia, nuk kanë mundur t’i paguajnë qiratë në vitin 2024 dhe e njëjta situatë mund të përsëritet edhe këtë vit, ka thënë ai.
“Askush nuk do të punojë, asnjë taksë nuk do të paguhet dhe nuk do të ketë zhvillim në këtë territor”.
Një tjetër barrierë për ringjallje ekonomike në rajon ka të bëjë me tendencën e Qeverisë ruse që t’i favorizojë kompanitë shtetërore dhe ato në numër më të madh, vlerëson Rybalko.
“Putini frikësohet nga zhvillimi i klasës së mesme. Ai frikësohet nga njerëzit që mund të mendojnë për veten”.
Ndërkohë, ukrainasit – sidomos ata në moshë të re – vazhdojnë të largohen nga tokat e pushtuara prej rusëve dhe “askush nuk vjen nga Rusia që t’i zëvendësojë ata, të gjithë janë të frikësuar”, ka thënë Rybalko.
“Asnjë person normal nuk vjen në këtë zonë ku ushtarët po luftojnë, ose për faktin që Ukraina mund ta rikthejë kontrollin, pavarësisht se kjo gjë nuk duket se ka shumë mundësi të ndodhë tani”.
Zaporizhja, që gjendet mes Hersonit dhe Donbasit, është një tjetër rajon që është pjesërisht i pushtuar nga Rusia, mirëpo Ukraina vazhdon ta kontrollojë kryeqendrën e saj. Zonat më në jug, afër brigjeve të detit Azov, janë thelbësore për “korridorin tokësor” që lidh Rusinë me Krimenë, të cilat janë të lidhura edhe përmes një ure, e cila është sulmuar nga Ukraina disa herë.
Në takimin e 30 qershorit, Putini e ka përsëritur pretendimin e tij se Deti Azov është “det i brendshëm i Rusisë”, sepse Rusia kontrollon gjithë territorin që e rrethon atë, dhe ka thënë se 5.400 kilometra rrugë që formojnë një lloj unaze rreth tij, tashmë janë rinovuar.
Andriy Orlov, drejtor i Qendrës për Zhvillim Strategjik të Territorit, institut me seli në Melitopol, qytet në zonën e pushtuar nga rusët në Zaporizhja, ka thënë se numrat mund të jenë ekzagjeruar dhe që shumica e përmirësimeve nëpër rrugë janë bërë në Rusi apo në Krime, dhe jo në zonat e pushtuara së fundmi.
Orlov ka thënë se Putin, përmes deklaratave të tij, ka tentuar t’i sigurojë banorët që Rusia “do të krijojë jetë të mirë” për ta, pavarësisht se raportimet nga terreni e bëjnë të qartë se ka probleme të mëdha.
Sikur edhe me ukrainas tjerë që ka biseduar Radio Evropa e Lirë për këtë artikull, Orlov është zhvendosur në pjesët e kontrolluara nga ukrainasit. Shumë pretendime që janë bërë nga zyrtarë rusë dhe ukrainas nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur, në mungesë të qasjes në territoret e pushtuara nga rusët.
Korrupsioni dhe mungesat e personelit janë probleme evidente edhe në Mariupol, qytetin-port në Detin Azov në rajonin e Donjeckut, të cilin Rusia e ka pushtuar në maj të vitit 2022, pas një ofensive të gjatë dhe vdekjeprurëse, e cila e ka shndërruar qytetin në gërmadhë.
Në këtë qytet është hapur një qendër mjekësore me pajisje moderne, “por nuk ka mjaftueshëm mjekë dhe askush nuk është aty për t’i dhënë diagnozat”, ka thënë Petro Andryushchenko, ish-këshilltar i kryetarit të Mariupolit, i cili tani udhëheq Qendrën për Studimin e Pushtimit, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Rinovimi i pishinës publike në Mariupol është përmbysur si pasojë e “vjedhjes së të gjitha pajisjeve” dhe e gjithë ajo që ka mbetur është dëmtuar gjatë rrethimit, ka thënë Andryushchenko.
Banimi është një tjetër problem në Mariupol, qytet me rreth 425.000 banorë para nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022, meqë shumë banorë jetojnë në ndërtesa që janë shkatërruar gjatë rrethimit.
“Kanë qenë 2.500 ndërtesa banimi në total, 500 janë rrëzuar krejtësisht, ndërsa pothuajse të gjitha tjerat kanë nevojë për riparime, pavarësisht se njerëzit po jetojnë ende në to”, ka treguar Andryushchenko.
“Ka edhe ndërtesa në të cilat njerëzit nuk banojnë më. Riparimi i tyre ka ngrirë në vend”.
Standardi i jetës
Ukrainasit e marrin shembull Krimenë kur tregojnë për përshtypjet e tyre nëse Moska do të arrijë ta forcojë ekonominë dhe ta rrisë standardin e jetës në zonat ukrainase që i kontrollon, në rast se Kievi nuk i kthen sërish nën kontrollin e vet në të ardhmen, përmes luftës apo diplomacisë.
Rusia ka ndarë “sasi të mëdha parash për Krimenë… fillimisht autoritetet pushtuese kanë thënë se Krimeja do të vazhdonte të funksiononte pa subvencione prej Moskës pas pesë vjetësh, më vonë kanë thënë pas shtatë vjetësh”, ka thënë Yevhenia Horyunova, analiste politike prej këtij gadishulli, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Mirëpo, për Krimenë vazhdojnë të ndajnë subvencione, sepse ekonomia e saj nuk është e mjaftueshme”.
Përveç kësaj, ajo ka treguar se paga mesatare në Krime është shumë më e ulët sesa ajo në Rusi.
“Prandaj them se standardi i jetës nuk është përmirësuar, nuk është bërë më i mirë sesa ka qenë”..REL