Kryeministri i Ukrainës jep dorëheqje si pjesë e ndryshimeve të mëdha në Qeveri

- Bota Sot

Kryeministri i Ukrainës jep dorëheqje si pjesë e ndryshimeve të mëdha në Qeveri

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, njoftoi të martën se e ka paraqitur dorëheqjen përmes një lere, si pjesë e ndryshimeve të mëdha në Qeverinë ukrainase të kohës së luftës që pritet të ndodhin këtë javë.

Presidenti Volodymyr Zelensky e propozoi të hënën zëvendëskryeministren e parë, Yulia Svyrydenko, për ta zëvendësuar Shmyhalin.

Svyrydenko, e cila është gjithashtu ministre e Ekonomisë, është aleate e ngushtë dhe e kamotshme e Zelenskyt.

Shmyhal, i cili ka mbajtur këtë post që nga marsi i vitit 2020, pritet të emërohet ministër i ri i mbrojtjes i Ukrainës, tha Zelenskiy të hënën.

Parlamenti i Ukrainës pritet të votojë për emërimin e Svyrydenkos më vonë gjatë kësaj jave.

Zelensky tha se tashmë kishte diskutuar me të për detyrat kryesore për gjashtëmujorin e ardhshëm.

"Po përgatisim hapat fillestarë të Qeverisë së rinovuar", tha ai në Telegram, duke postuar një foto nga takimi i tyre në zyrën e tij.

Sipas tij, detyrat kyçe do të jenë rritja e prodhimit të brendshëm të armëve dhe zbatimi i reformave për të çliruar potencialin ekonomik të Ukrainës.

Këto ndryshime, më të mëdhatë që nga pushtimi i vendit nga Rusia në shkurt 2022, vjen ndërsa forcat ruse vazhdojnë përparimin e tyre të ngadaltë në lindje të Ukrainës.

Ekonomia e Ukrainës mbetet më e vogël se para luftës, pavarësisht se bizneset vendase janë përshtatur me realitetin e luftës dhe miliarda ndihma nga aleatët perëndimorë të Kievit kanë ndihmuar për të ruajtur stabilitetin makroekonomik.

Viti i ardhshëm paraqet një sfidë të vështirë për financimin e deficitit buxhetor gjithnjë në rritje, pasi ndihma e huaj pritet të ulet. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se vendit do t’i duhen rreth 40 miliardë dollarë financim i jashtëm në vitin 2026.

Sipas deputetëve, Parlamenti do të votojë për emërimet e reja në Qeveri të enjten./REL



Read it all at Bota Sot