Skuadra e Egnatias kërkon që të shkruajë historinë sot në Islandë, ku përballet me kampionët vendas të Breidablik për një biletë në turin e dytë të Ligës së Kampioneve.
Rrogozhinasit triumfuan në ndeshjen e parë në shtëpi falë golit të Grudës, në një ndeshje ku rezultati mund të kishte qenë edhe më i thellë për ta.
Sot, në transfertë, ata kanë mundësisë që të përmbushin misionin dhe të vazhdojnë ecurinë në këtë turne, që do të shtonte shanset e kampionëve të Superiores për të siguruar një vend në fazën në grupe të një prej turneve europiane.
Në rreshtimin titullar, trajneri Tetova ka bërë disa ndryshime, për shkak të dëmtimit të Ndrecës, por edhe pezullimit të Lushkjes në ndeshjen e parë.
Ai ka hedhur në fushë nga minuta e parë Poçin në mbrojtje dhe Uotlain në mesfushë. Ndërkohë, bie në sy se është lënë në stol Ujka, duke i bërë vend Grudës në fushë nga minuta e parë.