Kampionia e Shqipërisë, Egnatia e Rrogozhinës, ka pësuar një disfatë të thellë në ndeshjen kthyese të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Skuadra shqiptare u mposht me rezultat 5-0 nga Breidablik në udhëtim në Islandë, duke u eliminuar nga gara me rezultat të përgjithshëm 5-1, pasi e kishte fituar ndeshjen e parë në Rrogozhinë me rezultat minimal 1-0.
Skuadra vendase e nisi ndeshjen në mënyrë të furishme dhe zhbllokoi rezultatin që në minutën e 8-të. Tobias Thomsen asistoi për Agust Thorsteinsson, i cili gjeti rrjetën me një goditje të qetë në këndin e poshtëm të majtë për 1-0.
Vetëm tetë minuta më vonë, Valgeir Valgeirsson harkoi saktë në zonë dhe Viktor Einarsson dyfishoi rezultatin me një goditje të saktë në këndin e majtë.
Në minutën e 24-të, Kristinn Jonsson asistoi sërish Thorsteinssonin, që realizoi golin e tretë për Breidablik, duke vulosur një pjesë të parë të dominuar totalisht.
Vetëm katër minuta para fundit të pjesës së parë, Viktor Einarsson realizoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për ekipin e tij, me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës që përfundoi në këndin e djathtë të portës së Mario Dajsinanit.
Në pjesën e dytë, Breidablik uli ritmin, por gjithsesi arriti të shënojë edhe një herë. Oli Omarsson pranoi një pasim nga Arnor Jonsson dhe lëshoi një goditje spektakolare nga distanca, që përfundoi në këndin e poshtëm të djathtë për rezultatin përfundimtar 5-0 (69′).
Kjo humbje vjen si zhgënjim i madh për Egnatian, që do ta vazhdojë në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
Ndërkohë, Drita nga Kosova dhe Shkëndija nga Maqedonia e Veriut siguruan kualifikimin në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, duke mbajtur lart flamurin shqiptar në Evropë.