Fitorja në Prishtinë dhe fitorja në Luksemburg – një rrugëtim i dyfishtë, por me një qëllim të qartë: të shkruhet historia e futbollit kosovar. Dhe Drita e bëri pikërisht këtë. Kjo e ka gëzuar presidentin e Dritës, Flamur Bunjakun.
Pas një paraqitjeje të disiplinuar dhe plot karakter në të dyja ndeshjet kundër kampionëve të Luksemburgut, Differdange 03, kampionia e Kosovës ka siguruar kualifikimin historik për në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, duke u bërë klubi i parë nga Kosova që kalon këtë fazë të garës më prestigjioze të klubeve evropiane.
Pas këtij suksesi, presidenti i klubit, Flamur Bunjaku, ka shprehur emocionet dhe krenarinë e tij për këtë arritje që i tejkalon kufijtë sportivë.
“Drita është klubi që të gjithë e duam – një skuadër që dominon kudo që luan, që ka shpirt, krenari dhe guxim. Fitore në Prishtinë dhe fitore në Luksemburg, kjo është Drita që jep gjithçka për ngjyrat e saj. Urime futbollistëve tanë për dy ndeshje të shkëlqyera ndaj Differdange dhe për dy fitore të merituara nga fillimi në fund. Ata ishin të palëkundur, të përqendruar dhe të bindur se ky ekip meriton më shumë se sa thjesht një fazë të parë”.
“Një urim i veçantë për stafin teknik, për punën e mrekullueshme, për përgatitjen taktike dhe për qasjen profesionale që solli rezultat”.
“Dhe nuk mund të mos falënderoj zemrën e Dritës – tifozët tanë të jashtëzakonshëm, Intelektualët – që nuk e lanë skuadrën asnjëherë vetëm, madje udhëtuan deri në Luksemburg për ta përkrahur klubin me një energji të jashtëzakonshme. Ata janë ndriçimi ynë në çdo betejë evropiane”.
“Ky kualifikim nuk është thjesht një fitore e klubit tonë, është një moment historik për futbollin e Kosovës. Asnjë klub nga vendi ynë nuk kishte kaluar më parë në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve – por ne e bëmë!”.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar për futbollistët, për stafin dhe për të gjithë ata që janë pjesë e kësaj familjeje të madhe që quhet Drita. Por ky është vetëm fillimi. Përpara na presin sfida edhe më të mëdha, edhe më të bukura. Drita është krenaria e Gjilanit, e Kosovës dhe së shpejti – do të jetë edhe krenaria e Evropës”, ka shkruar Bunjaku.
Drita tashmë përgatitet për përballjen ndaj kampionëve të Danimarkës, FC Copenhagen, me ndeshjen e parë që zhvillohet më 22 korrik në Danimarkë dhe atë kthyese më 29 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.