Duke folur për kanalet zyrtare të klubit pas humbjes në finalen e Kupës së Botës për klube, mbrojtësi dhe kapiteni i PSG, Marquinhos, foli jo vetëm për atë ndeshje por edhe për gjithë sezonin, që I kurorëzoi ata kampionë në Europë.
“Është gjithmonë e vështirë të humbasësh një finale. Është e vetmja ndeshje që nuk mund ta përballosh ta humbasësh.
Por, duke parë prapa, mendoj se patëm një turne të jashtëzakonshëm”, tha Marquinhos.
Më tej, braziliani shtoi: “Luajtëm kundër ekipeve shumë të forta dhe i mundëm, arritëm në finale. Deri në këtë pikë, ishte e shkëlqyer, por nuk i shfrytëzuam mundësitë tona. Në finale ishim shumë poshtë nivelit tonë të zakonshëm, poshtë aftësive tona”.
“Duhet ta analizojmë me kujdes këtë performancë dhe të shohim se çfarë mund të përmirësojmë për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, shijuam një sezon të jashtëzakonshëm, me triumfin tonë të parë në Champions League dhe trofe të tjerë në Francë”, tha Marquinhos.
“Nuk ia dolëm në ndeshjen e fundit por kjo nuk i heq asgjë pjesës tjetër të sezonit. Faleminderit tifozëve që na mbështetën gjatë gjithë sezonit; janë më të mirët, në shtëpi dhe jashtë. I kemi parë tifozët tanë edhe në Amerikë, kudo”, tha Marquinhos.
“Kjo është gjëja më e bukur që kemi përjetuar këtë sezon: gëzimi dhe dashuria e tifozëve. Kemi fituar shumë respekt dhe admirim, ka qenë fantastike. Do ta kujtoj këtë sezon për gjithë jetën time”, deklaroi kapiteni i PSG.