FC Malisheva do të zhvillojë nesër mbrëma në udhëtim ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, teksa përballet me Vikingur Reykjavik në duelin kthyese të raundit të parë kualifikues në UEFA Europa Conference League.
Pasi humbjes në takimin e parë në “Fadil Vokrri” me rezultat 0-1, skuadra kosovare ka udhëtuar në Islandë me misionin e qartë për të përmbysur rezultatin dhe për të vazhduar aventurën evropiane.
Pavarësisht humbjes minimale në shtëpi, Malisheva tregoi karakter dhe ka besim se me një paraqitje të disiplinuar dhe të vendosur mund të bëjë befasinë në Reykjavik. Skuadra është përgatitur maksimalisht dhe ka udhëtuar me formacionin më të mirë të mundshëm.
Nga ana tjetër, Víkingur vjen në këtë takim me avantazhin e fitores në sfidën e parë dhe me synimin për ta konfirmuar kualifikimin para tifozëve të vet.
Megjithatë, islandezët janë të vetëdijshëm se përballë kanë një kundërshtar të vendosur, që do të luftojë deri në fund..