Interi ka marrë një vendim të qartë, Pio Espozito nuk do të largohet.
Sulmuesi i ri, i cili vjen pas një sezoni pozitiv me Specian në Serinë B dhe një paraqitjeje të spikatur në Botërorin e Klubeve, ku shkëlqeu me një gol të bukur kundër Riverit, do të qëndrojë nën urdhrat e trajnerit të ekipit, Kristian Kivu.
Pavarësisht interesit në rritje nga shumë klube, brenda dhe jashtë Italisë, Interi ka refuzuar çdo ofertë, qoftë për huazim, qoftë për blerje përfundimtare.
Napoli, në veçanti, ka bërë një përpjekje të rëndësishme duke ofruar plot 30 milionë euro për kartonin e lojtarit, por përgjigjja ka qenë një “jo” e qartë nga zikaltrit. Presidenti napolitan, Aurelio de Laurentis, thuhet se është një admirues i madh i talentit 20-vjeçar.
OFERTAT- Sipas “Corriere dello Sport”, përveç Napolit, Interi ka marrë edhe 12 kërkesa të tjera për Espoziton. Klube si Fiorentina, Komo, Notingham Forest dhe Leistër kanë bërë oferta konkrete për ta transferuar. Ndërkohë, Lacio, Kaljari, Bolonja, Parma, Torino, Sasuolo, Ajaksi dhe Bazeli kanë shfaqur interes për një huazim të mundshëm. Por Interi ka vendosur ta mbajë në shtëpi.
Në hierarkinë aktuale të skuadrës, Pio Espozito është në garë të barabartë me Boninë, sulmuesi i ardhur nga Parma për 25 milionë euro, për të qenë alternativa kryesore pas Lautaro Martinez dhe Markus Turam. Espozito pritet t’i bashkohet ekipit në fund të korrikut, për të nisur përgatitjet për sezonin e ri.
Për të, kjo do të jetë e para eksperiencë me skuadrën e parë, një hap i rëndësishëm në një moshë ku të tjerët ende janë në pritje për të debutuar. Synimi është i qartë, të mësojë nga më të mirët dhe të luftojë për një vend mes tyre.