Ministria italiane e Drejtësisë ka njoftuar për mundësinë e lirimit të parakohshëm të 10 mijë personave, pra 15 për qind të të burgosurve në burgjet italiane, për të zbutur problemin e mbipopullimit.
Ata theksuan se 10,105 të burgosur potencialisht plotësojnë kushtet për sanksione alternative, si arrest shtëpiak ose dënim me kusht.
Dënimet alternative do të merren parasysh për personat me vendime përfundimtare që nuk i nënshtrohen ankesës, të cilëve u kanë mbetur më pak se dy vjet nga dënimi dhe që në 12 muajt e fundit nuk kanë bërë shkelje serioze disiplinore.
Dënimet alternative nuk do të merren parasysh për të dënuarit për vepra të rënda penale, si terrorizmi, krimi i organizuar, përdhunimi, trafikimi i migrantëve dhe rrëmbimi, raporton reuters.
Sipas bazës së të dhënave World Prison Brief, burgjet italiane kanë një nga shkallët më të larta të mbipopullimit në Evropë. Kjo shkallë është 122 për qind. Një shkallë mbi 100 për qind tregon se burgjet janë të mbushura mbi kapacitetin maksimal. Gjithashtu, sipas kësaj baze të dhënash, vetëm Qiproja, Franca dhe Turqia kanë shkallë më të lartë.
Situata e vështirë në burgjet italiane ka tërhequr vëmendjen e publikut pas rritjes së numrit të vetëvrasjeve në burgje dhe pakënaqësisë për shkak të temperaturave të larta në burgjet pa ajrosje.
Megjithatë, lirimi i parakohshëm i të burgosurve është një çështje politike delikate. Për këtë arsye, Ministria e Drejtësisë pohon se kjo nuk do të ndodhë brenda natës.