Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Prizren, pas një operacioni në kuadër të planit “Sezoni Veror 2025”. Të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të një sasie të substancës narkotike, e dyshuar marihuanë.
Gjatë tentativës për t’u larguar, dy prej tyre kanë shkaktuar aksident duke goditur dy vetura të parkuara. Pas arrestimit, policia ka kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve ku janë sekuestruar rreth 2.3 kg marihuanë, një peshore elektronike, qese dhe foli najloni për paketim, 115 euro para të gatshme, dy telefona dhe një veturë.