Arsenal përgatitet për një verë me ndryshime të mëdha, një nga sulmuesit më me përvojë të skuadrës, Leandro Trossard, thuhet se ka shprehur dëshirën e tij për t’u larguar nga klubi në muajt e ardhshëm.
Me kaq shumë nënshkrime të reja, Arsenal tani do të duhet të përqendrohet edhe në shitje, si për të krijuar vend në skuadër ashtu edhe për të gjeneruar parà. Trossard është i vetëdijshëm se roli i tij rrezikon të reduktohet ndjeshëm sezonin e ardhshëm, duke pasur parasysh formacionin e ri sulmues.
Pasi refuzoi një ofertë nga Arabia Saudite gjatë afatit kalimtar të janarit, anësori belg tani duket i gatshëm të eksplorojë mundësi të tjera.
Klubi i fundit që ka treguar interes është Bayern Munich, që kërkon një emër të fortë në atë pozicion pas dëmtimit të Musiala.
Me vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij, Arsenal së shpejti do të duhet të vendosë se çfarë të bëjë me ish-lojtarin e Brighton. Gjatë kohës së tij në Londër, Trossard provoi të ishte një shtesë e vlefshme për skuadrën. Ai luajti në të gjitha pozicionet e treshes sulmuese – në të majtë, si një nëntësh fals dhe në të djathtë.
Ai ka ofruar shkathtësi dhe besueshmëri në momente me intensitet të lartë, kur rotacioni ishte i nevojshëm pa ulur nivelin. Tani që ai ka vendosur të largohet nga “Gunners”, me siguri nuk do të ketë problem të gjejë një destinacion të ri.