Pas humbjes brutale të pësuar nga Paris Saint-Germaini në gjysmëfinale të Botërorit të Klubeve, Real Madridit i erdhi një lajm pozitiv: rikthimi në fushë i mbrojtësve Eder Militão e Dani Carvajal.
Por, “infermieria” nuk është ende e zbrazët, sepse emri që vazhdon t’i sjell preokupimet më të mëdha prej atje është ai i David Alabas.
Mbrojtësi austriak, i cili ka përfunduar jashtë fushës së blertë nga dhjetori i vitit 2023 për shkak të këputjes së ligamentit të kryqëzuar anterior të gjurit të majtë, e ka kaluar një vit e gjysmë të tmerrshëm.
Pas operimit dhe një tentative të parë për t’u rikthyer në janar të vitit 2025, vuajtjet vazhduan me një tërheqje në menisk në muajin prill dhe një tjetër këputje të soleusit në qershor, i cili e la jashtë Botërorit të Klubeve përkundër faktit se udhëtoi me skuadrën.
I transferuar në vitin 2021 nga Bayern Munichu, Alaba ishte bërë një lider i mbrojtjes dhe protagonist në fitimin e Ligës së Kampionëve numër 14 nga “Los Blancos”.
Por, sot ai ka rrëshqitur në fund të hierarkisë së Xabi Alonsos, i kaluar nga Rüdiger, Militão, Huijsen e Asencio, derisa talentët si Joan Martínez po trokasin në derë.
Me kontratën që është valide deri në vitin 2026 dhe me një rrogë prej 12,5 milionë eurosh në vit, Reali e ka ndërmend të reflektojë në këtë verë.
“Merengues” po mendojnë ta shesin Alaban në këtë verë në mënyrë që të kursejnë para.
Sidoqoftë, austriaku, i respektuar nga dhoma e zhveshjes dhe nga tifozët, nuk dëshiron të largohet dhe llogarit që të rikthehet në formë për Botërorin 2026.