Partizani do të luajë sot një ndeshje vendimtare në kuadër të raundit të parë të UEFA Conference League, ku do të përballet me skuadrën estoneze Kalju në stadiumin “Air Albania”, me fillim nga ora 20:00. Pas barazimit 1-1 në takimin e parë në Estoni, të kuqtë kanë gjithçka në dorë për të siguruar kalimin në raundin tjetër përballë tifozëve të tyre.
Megjithatë, përkundër rëndësisë së sfidës, interesi për biletat deri më tani ka qenë i ulët, me vetëm 1500 bileta të shitura.
Një shifër që nuk përkon me thirrjet e klubit për mbështetje masive në këtë duel europian.
Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që prania në stadium të rritet ndjeshëm në momentet e fundit.
Pasi nuk ka një fluks të madh, biletat janë ende të disponueshme në të gjitha sektorët, dhe shumë tifozë priren t’i blejnë afër orarit të ndeshjes.
Kjo sfidë shënon rikthimin e Partizanit në “Air Albania” për një ndeshje europiane pas dy vitesh, me të fundit që ishte ajo ndaj Atletik Eskaldes, e fituar 4-1 nga të kuqtë.
Partizani kërkon jo vetëm fitoren, por edhe mbështetjen e zjarrtë të tifozëve në një mbrëmje që mund të jetë historike për klubin në rrugëtimin europian.