Tek Interi po afrohet një moment vendimtar për të ardhmen e Mehdi Taremit.
Sulmuesi iranian, i ardhur verën e kaluar si lojtar i lirë nga Porto, është informuar prej kohësh nga klubi se nuk bën më pjesë në planet teknike për sezonin e ri.
Vetë lojtari e ka pranuar situatën dhe është shprehur i gatshëm të largohet, pa penguar klubin në procesin e transferimit.
Megjithatë, nëse nuk gjendet një zgjidhje brenda javës që vjen, Taremi pritet t’i bashkohet rregullisht grumbullimit me skuadrën, në pritje të zhvillimeve të reja.
Drita jeshile duket se po afrohet, pasi diçka ka filluar të lëvizë konkretisht. Taremi ka vendosur si kusht të vetëm që të transferohet në një kampionat europian ose në një ligë me nivel të konsiderueshëm. Kësaj kërkese i përgjigjen dy klubet që janë shfaqur në skenë: Fulham nga Premier League dhe Besiktas nga Superliga turke.
Ndërkohë, Interi po kërkon të përshpejtojë largimin e Taremit edhe për t’u fokusuar te mbyllja e marrëveshjes me Atalantën për Ademola Lookman, objektivin kryesor për repartin ofensiv.
Klubi zikaltër nuk kërkon të bëjë presion mbi shifrën e 10 milionë eurove për Taremin – shumë që gjithsesi do të përbënte një plusvalencë e pastër, duke qenë se ai erdhi pa kosto.