Është përcaktuar gjysmëfinalja e parë e Kampionatit Europian të Vajzave që po zhvillohet në Zvicër.
Anglia do të përballet me Italinë për të siguruar një vend në finalen e madhe.
Sot do të zhvillohet çerekfinalja e tretë dhe në fushë do të zbresin Spanja dhe Zvicra, që sfidojnë njëra-tjetrën për një vend mes 4 më të mirave të turneut.
Ndeshja do të luhet në orën 21:00 në stadiumin “Wankdorf” të Bernës.
Përballen dy çerekfinalistë që patën rrugë të ndryshme gjatë fazës së grupeve; për Spanjën, kualifikimi u sigurua pas ndeshjes së dytë dhe në fund iberiket siguruan vendin e parë në grupin B, me pikë të plota, duke shënuar 14 gola në 3 ndeshjet e grupit. Në të kundërt, vendasit (finalet e Euro 2025 zhvillohen në Zvicër) kishin nevojë për një gol në kohën shtesë kundër Finlandës për të marrë pikën (të katërtën në grup) e nevojshme për të avancuar më tej.
Spanja është më e favorizuar në këtë takim, e udhëhequr nga golashënuesja kryesore e turneut, Esther González, dhe asistuesja më e mirë, Alexia Putellas, por duhet theksuar se vetëm një herë më parë ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale.
Ndërsa Zvicra synon të shfrytëzojë faktorin fushë, që të sigurojë një vend mes 4 më të mirave të Europianit.
Formacionet e mundshme:
Spanja: Coll; Batlle, Paredes, Aleixandri, Carmona; Guijarro, Putellas, Bonmatí; Pina, Caldentey, Esther González
Zvicra: Peng; Beney, Calligaris, Stierli, Maritz, Riesen; Reuteler, Wälti, Vallotto; Schertenleib, Fölmli.