Liverpool është shumë pranë sigurimit të një përforcimi të bujshëm në repartin ofensiv, teksa Hugo Ekitike, sulmuesi i talentuar i Eintracht Frankfurt, ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me “The Reds” në sezonin e ardhshëm.
Sipas burimeve pranë klubit, 23-vjeçari francez ka rënë dakord në parim për transferimin, ndërsa aktualisht pritet që të gjendet gjuha e përbashkët edhe mes dy klubeve.
Ekitike ka kontratë me ekipin gjerman deri në vitin 2029, por mund të largohet në rast të një oferte prej 70 milionë eurosh.
Liverpooli ka bërë tashmë të ditur se është gati të paraqesë një ofertë zyrtare, duke përshpejtuar kështu bisedimet që po ecin me ritëm pozitiv. Gjithçka pritet të mbyllet në javët në vijim, nëse palët arrijnë një marrëveshje përfundimtare.
Ekitike është në sezonin e tij të dytë në Bundesliga, por spikati sezonin e kaluar me 15 gola në 33 ndeshje, duke tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane.