Olympique de Marseille po kërkon ta forcojë skuadrën e saj gjatë afatit kalimtar të verës.
Dhe, mediat franceze raportojnë se klubi francez ia ka vënë syrin futbollistit kosovar, Edon Zhegrova.
Mirëpo, analisti i mediumit “RMC”, Kevin Diaz e sheh si një transferim të rrezikshëm dhe shumë të komplikuar pasi 26-vjeçarin e sheh si një djalë të vështirë.
Përfaqësuesi kosovar e kaloi një pjesë të parë fantastike të sezonit të fundit, por më pas e pësoi një lëndim i cili e la jashtë fushës së blertë në krejt pjesën e dytë të edicionit 2025/25.
Përpos gjendjes së tij fizike, është karakteri i tij që ngre pikëpyetje.
“Ai është një djalë i vështirë. Është shumë i vështirë për t’u menaxhuar”, deklaroi Diaz.
Sipas tij, kjo paqëndrueshmëri emocionale mund ta përfaqësojë një pengesë të madhe për integrimin e tij në Marseille.
“Pavarësisht potencialit të tij të pamohueshëm, transferimi i Edon Zhegrovës duket shumë i rrezikshëm për Marseillen.
Temperamenti i tij i vështirë dhe mungesa e pjekurisë mund ta prishin ekuilibrin e ekipit të Marseilles. Nëse nuk ka një ndryshim rrënjësor në sjellje, ky transferim mund të shmanget nga Marseille”, shkruan mediumi francez “Score”.
Lille e vlerëson ish-futbollistin e Baselit 20 milionë euro, ndërsa ai ka kontratë me klubin francez edhe një vit.
Vlera në treg e Zhegrovës sipas Transfermarkt është 25 milionë euro.
Interesim për të kanë shfaqur edhe klubet angleze, Nottingham Forest dhe Newcastle United.
Ndërsa, në Itali qe një kohë e pëlqejnë Napoli, Milani dhe Atalanta.
Ndërkaq, në Turqi e pëlqen Fenerbahçe.
Shkaku i lëndimit, Zhegrova nuk ka luajtur që nga 14 dhjetori dhe ky fakt i ka trembur paksa ekipet e interesuara, të cilat thuhet se gjithnjë e më shumë po largohen prej tij.
Prishtinasi i kishte zhvilluar 21 ndeshje dhe i kishte realizuar 8 gola, ndërkohë që i kishte bërë edhe 2 asistime në pjesën e parë të sezonit.
Përfaqësuesi kosovar i ishte bashkuar Lillet nga Baseli në vitin 2022, ndërsa ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij.