Kolo Muani kthehet në stërvitje me PSG-në

- Bota Sot

Kolo Muani kthehet në stërvitje me PSG-në

Situata e Randal Kolo Muanit mes Paris Saint-Germain dhe Juventusit është bërë gjithnjë e më e ndërlikuar.

Sulmuesi francez, i cili nuk bën pjesë në planet e trajnerit Luis Enrique, është thirrur nga PSG për t’u paraqitur më 23 korrik në qendrën stërvitore të Poissy, së bashku me lojtarët që nuk morën pjesë në Botërorin për Klube në SHBA.

Mes tyre është edhe Renato Sanches, që sapo ka mbyllur huazimin me Benfica-n.

Kthimi i Kolo Muanit është më shumë një lëvizje formale e klubit parizien, që nuk dëshiron ta shesë me humbje.

PSG e bleu në vitin 2023 nga Eintracht Frankfurti për mbi 70 milionë euro plus bonuse, pas një sezoni spektakolar me 23 gola dhe 17 asistime. Megjithëse Enrique nuk e llogarit për të ardhmen, klubi kërkon të përfitojë sa më shumë nga një largim i mundshëm i tij.

Juventusi, i cili e pati në huazim sezonin e kaluar, është i interesuar për ta rikthyer sulmuesin 26-vjeçar. Trajneri Igor Tudor e ka kërkuar në mënyrë të qartë dhe drejtori Comolli po përpiqet të realizojë operacionin. Bardhezinjtë propozojnë një huazim me të drejtë blerjeje, por PSG këmbëngul për një shitje përfundimtare ose për një huazim me detyrim blerjeje, me një çmim që mund të shkojë deri në 40-45 milionë euro.

Në këtë ngërç të pazgjidhur, lojtari duket i vendosur të rikthehet në Torino, ndërsa PSG kërkon të maksimizojë përfitimin financiar. Gjithçka pritet të qartësohet në fillim të gushtit.



Read it all at Bota Sot