Sipas raportimeve të beIN Sports dhe mediave spanjolle, Real Madridi është duke konsideruar seriozisht shitjen e Vinicius Junior, për shkak të kërkesave të tij financiare në negociatat për rinovimin e kontratës.
Aktualisht, Vinícius ka kontratë me klubin deri në vitin 2027, por braziliani po kërkon një rritje të ndjeshme të pagës, si dhe një bonus të madh nënshkrimi. Këto kërkesa, sipas drejtuesve të Realit, rrezikojnë të cenojnë stabilitetin financiar të klubit.
Vinícius synon të bëhet lojtari më i paguar në ekip, duke kërkuar një pagë më të madhe se ajo e Kylian Mbappé, i cili verën e kaluar u transferua pa kompensim, por përfitoi një bonus të konsiderueshëm për nënshkrimin.
Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim te drejtuesit e Realit, të cilët janë duke analizuar mundësinë e shitjes së Vinícius-it, për të shmangur precedentë të rrezikshëm me lojtarët e tjerë kyç të skuadrës.
Nëse ndodh një shitje e tillë, përfituesi i madh mund të jetë Rodrygo Goes. Ai deri më tani ishte një ndër lojtarët e përfolur për largim, por në këtë skenar, drejtuesit mund të vendosin ta mbajnë në Madrid.
Edhe pse ka luajtur vetëm 92 minuta në gjashtë ndeshjet e fundit nën drejtimin e trajnerit Xabi Alonso, Rodrygo e ka bërë të qartë dëshirën për të qëndruar.
Jashtë fushës, Vinícius vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Javën e kaluar, në sambodromin e Rio de Janeiros, ai mori një nder të veçantë: muzeu Madame Tussauds prezantoi figurën e tij prej dylli në përmasa reale, duke vlerësuar kontributin e tij sportiv dhe luftën kundër racizmit.
Megjithatë, festa e tij dy-ditore e ditëlindjes në Brazil është pritur me pakënaqësi nga drejtuesit e klubit, të cilët e kanë konsideruar të papërshtatshme në një moment delikat të negociatave për kontratën.
Sezonin e kaluar, Vinícius regjistroi 22 gola dhe 19 asiste në 55 ndeshje me Real Madridin. Por kërkesat financiare, polemikat jashtë fushës dhe presioni i brendshëm po shtojnë pasigurinë rreth të ardhmes së tij në klub.
Pyetja e madhe mbetet: A do të largohet Vinícius Junior nga Madridi këtë verë?