Klubi i njohur italian i Brescia-s është shkrirë pasi ka falimentuar për shkak të detyrimeve financiare.
Dhe si rrjedhojë, të gjithë lojtarët janë lënë të lirë të largohen në kërkim të ekipeve të tjera për të vazhduar karrierën e tyre.
Një prej tyre është edhe mbrojtësi i Shqipërisë U21, Zylyf Muça. Lojtari i cili ka bërë të gjithë serinë e ekipeve kombëtare të Shqipërisë, nuk ka vonuar shumë që të gjejë një sistemim të ri, ku shpreson që të jetë një titullar fiks e të shpërthejë në futbollin e rëndësishëm.
Ai ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin e Trentos në Serinë C, me shpresën që aty të luajë rregullisht e të tregojë se sa vlen.
“Jam një lojtar krahu të cili i pëlqen të dalë përpara dhe të kontribuojë edhe në fazën ofensive.
Në fushë jap gjithmonë maksimumin, duke u munduar që të bashkoj vrapimin, intensitetin dhe shpirtin e sakrificës. Nga kjo aventurë e re te Trento, pres një rritje të rëndësishme, si nga pikëpamja teknike, ashtu edhe ajo njerëzore.
Falënderoj klubin për besimin që më ka dhënë. Do të përballem në këtë sfidë me motivim të madh dhe me objektivin për t’u përmirësuar ditë pas dite”, ishin fjalët e mbrojtësit pas prezantimit të tij te klubi i ri.