Një rast i kontrabandës është zbuluar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, ku një zyrtar doganor dhe një transportues mallrash janë arrestuar të enjten, si pjesë e një aksioni të Njësisë për Antikontrabandë.
Gazeta Sinjali mësoi se ndaj zyrtarit doganor është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prizren ku ka kërkuar sot nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurin I.K, ndaj të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Ilijaz Kaplani, i cili dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në bazë të aktvendimit që ka siguruar Sinjali, ndaj Kaplanit është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, masë e cila do të llogaritet që nga data 16.07.2025 e deri më 16.08.2025.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, zyrtari në fjalë dyshohet se qëllimisht nuk ka kontrolluar një automjet furgon të markës ‘Mercedes Sprinter 316 CDI’, të cilin e drejtonte i pandehuri A.K. Ky i fundit kishte hyrë në pikën kufitare dhe e kishte parkuar furgonin në kabinën nr.6, ku fillimisht ia dorëzoi një letër doganierit dhe më pas u kthye për të marrë dokumentet.