Gjermania ka mungesë edukatorësh, punonjësish socialë, kujdestarësh dhe shitësish, si dhe shumë profileve të tjera të punës së kualifikuar.
Situata do të përkeqësohet shpejt, paralajmëron Instituti për Ekonominë Gjermane (IW) në një studim të ri.
IW vlerëson se mungesa do të rritet dhe se deri në vitin 2028 numri i vendeve të punës të paplotësuara do të rritet në rreth 768 mijë nga 487 mijë vitin e kaluar, raporton kp.
"Arsyeja kryesore janë ndryshimet demografike. Shumë njerëz do të dalin në pension në vitet e ardhshme", tha autori i studimit Jurek Tiedemann.
Largimi i gjeneratës më të madhe, po rrit presionin mbi punonjësit në shumë profesione.
“Nëse nuk arrijmë ta zbusim deficitin, gjithnjë e më shumë njerëz do ta ndiejnë atë çdo ditë”, tha Tiedemann.
Për shembull, kur nuk ka vende në kopshte ose azile pleqsh, punonjësit nuk mund të zgjasin orarin e punës për ti akomoduar ata sepse duhet të kujdesen edhe për familjet e tyre.
Vlerësimi i tregut bazohet në një analizë të të dhënave nga viti 2023 dhe trendit nga vitet e kaluara.
Mungesa më e madhe pritet midis shitësve, dhe numri i pozicioneve të hapura por të paplotësuara mund të rritet nga 12 mijë e 900 në 40 mijë e 470. Shumë pak të rinj po zgjedhin shkolla profesionale, tha Tiedemann.