Gjykata e Apelit aprovon ankesën e komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush”, lënda kthehet në rishqyrtim

- Bota Sot

Gjykata e Apelit aprovon ankesën e komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush”, lënda kthehet në rishqyrtim

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e komunës për sheshin “Xhorxh Bush”.

Rama thotë se, Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore, duke kthyer çështjen për rishqyrtim.

Ky vendim i ri i Gjykatës së Apelit vërteton se kemi pasur të drejtë dhe se veprimi ynë ka qenë në përputhje me interesin publik dhe ligjin. E kemi thënë dhe do ta themi sërish: qendrat e qyteteve moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë dhe privilegje të vjetra, por mbi parimin që qyteti u takon KËMBËSORËVE, jo MAKINAVE”, ka shkruar Rama në Facebook.

Mes tjerash, ai shtoi se ” Krejt kjo në përputhje me standardet e BE-së, paralel me praktikat më të mira evropiane dhe në përputhje të plotë me ligjin”.

“Shndërrimi i një rruge në shesh publik nuk është vendim momental, por strategji afatgjatë për zhvillim urban, mbrojtje të mjedisit dhe përmirësim të cilësisë së jetës: Reduktimi i ndotjes së ajrit nga PM10 dhe NO2 nuk është çështje komoditeti – është çështje shëndeti publik. Hapja e qytetit për këmbësorët nuk është çështje estetike – është çështje sigurie dhe barazie sociale. Zhvillimi i një hapësire publike për këmbësor në vend të një korridori trafiku nuk është eksperiment – është standardi i domosdoshëm i qyteteve që duan të ecin përpara”, theksoi ai.

Rama ka deklaruar se do të vazhdojnë me me qetësi, vendosmëri dhe respekt të plotë për ligjin e interesin publik.

“Ata që i frikësohen një Prishtine për të gjithë, do të kuptojnë se koha e BLLOKADAVE të jashtëligjshme mbi kurrizin e qytetit po perëndon”.

Punimet për sheshin “Xhorxh Bush”, kishin nxitur një përplasje ndërmjet kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Komuna kishte nisur disa herë punimet në këtë shesh, por që janë ndaluar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.



Read it all at Bota Sot