Milani po hedh hapa konkretë drejt afrimit të mbrojtësit të djathtë spanjoll, Mark Pubil. Futbollisti 21-vjeçar i Almerias, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij në La Liga dhe me përfaqësuesen spanjolle gjatë Lojërave Olimpike “Paris 2024”, është në krye të listës së dëshirave të klubit kuqezi për të përforcuar krahun e djathtë të mbrojtjes.
Sipas burimeve të “TuttoMercatoWeb”, klubi italian ka nisur tashmë procesin e verifikimeve mjekësore, një hap i domosdoshëm për të përfunduar tratativat.
Një delegacion nga stafi mjekësor i Milanit është nisur drejt Barcelonës për të kryer testime fizike të detajuara ndaj lojtarit, me synimin për të analizuar gjendjen e gjurit të tij, një dëmtim i mëparshëm që në verën e vitit 2024 ndikoi në tërheqjen e Atalantës nga një marrëveshje tashmë thuajse e përfunduar për rreth 20 milionë euro. Ky shqetësim fizik ka bërë që vlera e kartonit të Pubil të bjerë ndjeshëm në këtë merkato vere, duke hapur një mundësi për Milanin.
Vlerësimet aktuale flasin për një ulje të çmimit me të paktën 5 milionë euro, çka e bën operacionin më të përballueshëm për klubin nga Milano. Me 40 ndeshje të luajtura sezonin e kaluar për Almerian dhe një eksperiencë ndërkombëtare me fanellën e Spanjës, Pubil shihet si një investim strategjik për të ardhmen, por edhe një zgjidhje e menjëhershme për të plotësuar boshllëqet në mbrojtje. Në Milanelo shpresojnë që, pas analizave mjekësore dhe arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me klubin spanjoll, transferimi të zyrtarizohet brenda pak ditësh.