Roma ka luajtur sot miqësoren e parë të fazës përgatitore, duke u përballur me ekipin amator të Trastevere.
Dhe ashtu siç pritej, erdhi një fitore e lehtë me shifrat 14-0 për verdhekuqtë të cilët dominuan plotësisht këtë duel të parë.
Një ndeshje ku trajneri Gasperini pa në veprim Paulo Dibalan, autor i dy golave në pjesën e parë të takimit.
Por ai pa në veprime dhe Marash Kumbullën, të aktivizuar në të dytën, ku mbrojtësi i Kombëtares shqiptare kishte më shumë punë në sulm se në prapavijë, meqë kundërshtarët rrallëherë u shfaqën rrezikshëm.
Kumbulla në fakt shkroi emrin e tij mes golashënuesve të ndeshjes, teksa në minutën e 69-të, pas një asisti të Hermosos në vijimin e një goditje këndi, çoi topin në rrjetën e portës kundërshtare për të shënuar golin e rezultatit të përkohshëm 11-0.
Trajneri Gasperini ka kërkuar përforcime në merkato në të gjithë repartet, por ka bërë të qartë se fillimisht do të vlerësojë edhe lojtarë si Kumbulla e Hermoso që janë kthyer nga huazimet në klube të tjera..