Statuja e Mark Aurelit kthehet pas më shumë se gjysmë shekulli në Turqi

- Bota Sot

Statuja e Mark Aurelit kthehet pas më shumë se gjysmë shekulli në Turqi

Një statujë bronzi e perandorit romak Mark Aureli, e cila u nxor ilegalisht nga Turqia në vitet 1960, është kthyer në vend pas më shumë se gjysmë shekulli.

Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit vuri në dukje se statuja kishte qenë në SHBA për dekada.

"Ishte një luftë e gjatë. Kishim të drejtë, ishim të vendosur, ishim të duruar dhe ia dolëm mbanë. Mblodhëm me shumë kujdes provat e nevojshme dhe e kthyem perandorin filozof Mark Aureli," shkroi Mehmet Nuri Ersoy në X.

Statuja u kthye pas një hetimi shumëvjeçar që përfshinte analiza shkencore, kërkime arkivore dhe dëshmi të dëshmitarëve okularë, raporton Anadolu.

Ersoy e quajti riatdhesimin një "arritje historike" të bërë të mundur nga përpjekjet e përbashkëta të diplomacisë, ligjit dhe shkencës.

"Qoftë brenda apo jashtë vendit, ne do të vazhdojmë me vendosmëri të mbrojmë të gjithë trashëgiminë tonë kulturore të plaçkitur deri në fund", njoftoi ai. Ai shtoi se statuja së shpejti do ti prezantohet publikut në një ekspozitë në kryeqytet, Ankara.

Statuja, që besohet se daton nga shekulli i dytë ose i tretë pas Krishtit, u nxor kontrabandë nga Turqia pas gërmimeve të paligjshme në rrethin Golhisar të provincës jugperëndimore Burdur. Më vonë ajo hyri në koleksionin e Muzeut të Artit të Cleveland në shtetin amerikan Ohio.

E konsideruar si një nga artefaktet më të rëndësishme prej bronzi që kanë mbijetuar në Anadoll, statuja është unike në përshkrimin e saj të Mark Aurelit si filozof - një përshkrim që ka rëndësi të veçantë në historinë e artit romak dhe të lashtë anadollas.

Eksporti i antikiteteve nga Turqia është i ndaluar me ligj dhe shkelësit përballen me dënime të rënda, transmeton KosovaPress.



Read it all at Bota Sot