Mijëra afganë që ndihmuan forcat britanike dhe aleate dhe të cilëve u janë publikuar të dhënat personale, nuk pritet të marrin asnjë formë kompensimi nga qeveria britanike – pavarësisht rrezikut të jetës së tyre nga talebanët.
Ministria e Mbrojtjes në Britani i ka cilësuar pretendimet për kompensim si “hipotetike”, dhe ka theksuar për BBC-në se do të “mbrohet fuqishëm” kundër çdo padie apo kërkese për dëmshpërblim.
Rrjedhja e madhe e informacionit ndodhi në shkurt të vitit 2022, ku emrat dhe të dhënat e më shumë se 19 mijë afganëve u ekspozuan. Shumë prej tyre ndihen tashmë të rrezikuar dhe në shënjestër të hakmarrjes nga talebanët.
Përkundër kësaj, një shqyrtim i pavarur, i njohur si shqyrtimi Rimmer, ka arritur në përfundimin se nuk ka prova të mjaftueshme që vetëm përfshirja në atë listë do të rezultonte në shënjestrim nga ana e talebanëve.
Kjo ka shtyrë Ministrinë të mos japë as kompensime të vogla, e as të hapë rrugë për ndonjë përgjegjësi ligjore.
Ndërkohë, firma juridike Barings Law është duke përgatitur një padi të madhe kolektive, ku thuhet se ka më shumë se 1 mijë klientë afganë. Nuk dihet ende se sa prej tyre ndodhen aktualisht në Afganistan dhe sa kanë arritur të shpëtojnë.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, këtë javë ka njoftuar heqjen e një super-urdhri gjykate, që më parë e bënte të paligjshme edhe referimin e vetë ekzistencës së këtij rasti të rrjedhjes së të dhënave.