“La Gazzetta dello Sport” raporton se Interi është gati të dërgojë një ofertë të përmirësuar për yllin e Atalantës, Ademola Lookman, i vlerësuar me 50 milionë euro nga klubi bergamask.
Bisedimet midis dy klubeve pritet të vazhdojnë sot, pasi Interi ka arritur tashmë një marrëveshje për kushtet personale me fituesin e fundit afrikan të Topit të Artë. Sipas burimeve të Gazzetta-s, Interi ka paraqitur një ofertë në formë huazimi me detyrim blerjeje, ndërsa Atalanta këmbëngul për një transferim të përhershëm për shumën e plotë.
Megjithëse raportohet se një marrëveshje mund të arrihet për rreth 45 milionë euro duke përfshirë bonuset, Interi ende nuk ka bërë një ofertë të re konkrete për sulmuesin 27-vjeçar.
Ndërkohë, pavarësisht spekulimeve të mëhershme, nuk ka pasur kontakte të fundit nga Napoli për Lookmanin. Burime të afërta me situatën konfirmojnë për Football Italia se interesimi i fundit i Napolit daton që nga qershori, dhe nuk ka pasur zhvillime të reja që atëherë.
Lookman, i cili shkëlqeu sezonin e kaluar me fanellën e Atalantës dhe u shpall Lojtari Afrikan i Vitit, shihet si një përforcim kyç nga zikaltrit në merkato.