Malisheva ndahet me trajnerin Bekim Isufi dhe shtabin e tij teknik

- Bota Sot

Malisheva ndahet me trajnerin Bekim Isufi dhe shtabin e tij teknik

Malisheva ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e bashkëpunimit me kryetrajnerin Bekim Isufi dhe pjesën tjetër të stafit teknik.

Klubi ka bërë të ditur se marrëveshja është ndërprerë me marrëveshje të dyanshme.

“Malisheva njofton ndërprerjen e bashkëpunimit, me marrëveshje të dyanshme, me Kryetrajnerin Bekim Isufi, Trajnerin kondicional Arsim Tershani, Trajnerin e portierëve Diamant Kadriolli dhe Video analistin, Shkumbin Gërguri”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

Malisheva ka falënderuar veçmas trajnerin Bekim Isufi për kontributin e dhënë gjatë një viti, periudhë në të cilën klubi siguroi pjesëmarrjen historike në garat e Conference League për herë të dytë radhazi.

“Klubi ynë shpreh mirënjohje të thellë për punën dhe përkushtimin e Kryetrajnerit Isufi, i cili gjatë një viti me FC Malisheva kontribuoi ndjeshëm në sukseset e klubit, duke siguruar pjesëmarrjen në garat e UEFA Conference League, dhe duke shkruar historinë për herë të dytë radhazi si klub”, ka thënë klubi malishevas.

Mirënjohje dhe falënderime janë dhënë gjithashtu për trajnerin kondicional Arsim Tershani, trajnerin e portierëve Diamant Kadriolli dhe video analistin Shkumbin Gërguri, për punën dhe profesionalizmin e treguar.

“Gjithashtu, jemi thellësisht falënderues për punën profesionale, përkushtimin dhe korrektësinë e Trajnerit kondicional Arsim Tershani, i cili dha një kontribut të çmuar në ngritjen fizike të ekipit. Një falënderim i veçantë i shkon edhe Trajnerit të portierëve Diamant Kadriolli për punën dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm me portjerët tanë gjatë gjithë kohës së kaluar në klub. Mirënjohës dhe falënderues edhe për Shkumbin Gërguri për punën dhe analizat profesionale për kohën sa ishte pjesë e jona”, ka theksuar klubi i Superligës. 

Klubi ka lënë të hapura mundësitë për bashkëpunime të ardhshme me stafin e larguar.

“Dyert e FC Malisheva do të mbeten gjithmonë të hapura për bashkëpunim të ardhshëm me Bekim Isufin, Arsim Tershanin, Diamant Kadriollin dhe Shkumbin Gërguri. Deri atëherë, ju urojmë shëndet dhe shumë suksese në rrugëtimin e tyre profesional”, ka thënë Malisheva. 

Malisheva ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të emërojë kryetrajnerin e ri dhe do të kompletojë stafin teknik.



Read it all at Bota Sot