Chelsea ka hyrë në histori si klubi i parë që fiton edicionin e ri të Botërorit për Klube, një kompeticion që u zhvillua për herë të parë këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një finale spektakolare, skuadra londineze dominoi fituesit e Champions League, Paris Saint-Germain, duke triumfuar me rezultatin e thellë 3-0.
Ky sukses i dha Chelsea-t trofeun më të ri dhe më të rëndësishëm të futbollit ndërkombëtar për klube, një arritje që trajneri Enzo Maresca e cilësoi historike dhe me potencial për të rivalizuar, apo edhe kaluar prestigjin e Champions League në të ardhmen.
“Në këtë turne marrin pjesë klubet më të mira nga e gjithë bota. Në të ardhmen, Kupa e Botës për Klube mund të bëhet po aq ose edhe më e rëndësishme se Champions League,” u shpreh Maresca, pas finales.
Trajneri italian kujtoi eksperiencën e tij si pjesë e stafit të Manchester City, kur ky i fundit fitoi Champions League tre vite më parë, por theksoi se përfshirja e kampionëve nga të gjitha kontinentet e bën këtë turne unik dhe më të gjerë në konkurrencë.