Pas eliminimit të Spartak Trnavës në turin e parë të Ligës së Europës, klubi suedez Haken ka përqendruar vëmendjen te situata e portierit shqiptar Etrit Berisha, i cili po kalon një formë të shkëlqyer.
Gardiani kuqezi ka zbuluar më herët se kontrata e tij përfshin një klauzolë që i jep të drejtën të largohet gjatë kësaj vere, një mundësi që mund të konkretizohet, duke qenë se për të ka interesim konkret nga skuadra italiane.
Megjithatë, Berisha mbetet i kujdesshëm në deklarata.
“Asgjë nuk është e sigurt ende, do të shohim çfarë ndodh. Siç thashë, kemi filluar të flasim, kemi edhe pak kohë deri në fund të korrikut dhe pastaj do të shohim. Ka pasur disa kontakte në Itali, por është agjenti im që merret me këtë. Për mua është e rëndësishme të përqendrohem këtu”, theksoi portieri 35-vjeçar.
Në kampin suedez, Haken nuk e fsheh dëshirën për ta mbajtur Berishën edhe përtej këtij sezoni. Drejtori sportiv i klubit, Martin Erikson, e bëri të qartë synimin e klubit për të rinovuar bashkëpunimin me shqiptarin:
“Ne do të dëshironim shumë që ai të qëndronte më gjatë sesa deri në fund të sezonit. Kemi pasur bisedime me të për këtë”, deklaroi Erikson.