Franca i bën thirrje BE-së për më shumë vendosmëri për negociatat ndaj tarifave të Trump

- Bota Sot

Franca i bën thirrje BE-së për më shumë vendosmëri për negociatat ndaj tarifave të Trump

Ministri francez i Industrisë, Marc Ferrazzi, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të tregojë më shumë vendosmëri në negociatat tregtare me Shtetet e Bashkuara, pas paralajmërimit të fundit nga administrata Trump për vendosjen e tarifave 30% ndaj produkteve evropiane.
Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar të Industrisë, ministri theksoi se Evropa duhet të ruajë qasjen negociuese, por gjithashtu të jetë e gatshme për një qëndrim më të ashpër.

“Pozicioni i Evropës duhet të jetë ai i negociatave, por edhe ai i vendosmërisë,” tha Ferrazzi.

Sipas tij, negociatat që po zhvillohen prej më shumë se tre muajsh nuk kanë arritur të zbusin qëndrimin e Uashingtonit. Përkundrazi, administrata amerikane duket se e ka forcuar retorikën e saj ndaj BE-së.

“Prandaj, ne duhet të ndryshojmë metodën tonë,” shtoi ministri, duke përmendur mundësinë e kundërmasave ndaj tarifave amerikane.

Në takimin e mbajtur në Paris morën pjesë përfaqësues të industrive strategjike, sindikatave dhe shoqatave të punëdhënësve, të cilët miratuan një deklaratë të përbashkët drejtuar BE-së. Dokumenti thekson nevojën për arritjen e një marrëveshjeje të ekuilibruar përmes negociatave.

Ferrazzi paralajmëroi për pasoja serioze nëse tarifat prej 30% hyjnë në fuqi.

“Disa sektorë kanë folur për një rrezik fatal nëse këto tarifa zbatohen,” u shpreh ai, duke siguruar se industria franceze do të mbetet e bashkuar përballë këtyre sfidave.

Megjithatë, jo të gjithë pjesëmarrësit janë të një mendimi. Sipas burimeve brenda takimit, disa përfaqësues të industrisë janë më të shqetësuar për pasojat e mundshme të kundërmasave të BE-së, sesa nga vetë tarifat e Trump.



Read it all at Bota Sot