Nuk ndalet Liverpooli, e synon edhe një transferim 58-milionësh

- Bota Sot

Nuk ndalet Liverpooli, e synon edhe një transferim 58-milionësh

Liverpool nuk ka ndërmend të ndalet në këtë afat kalimtar dhe tashmë është duke punuar për të mbyllur transferimin e mbrojtësit qendror të Crystal Palace, Marc Guehi, i cili vlerësohet rreth 58 milionë euro.

Pas triumfit në Premier League nën drejtimin e Arne Slot, klubi nga Anfield ka intensifikuar lëvizjet në merkato me qëllim ruajtjen e dominimit në Angli dhe suksesit në arenën evropiane.

Pas afrimeve të Florian Wirtz, Milos Kerkez, Giorgi Mamardashvili dhe Jeremie Frimpong – me një total investimi prej 230 milionë euro – “The Reds” janë gati të finalizojnë edhe transferimin e Hugo Ekitike për 90 milionë euro nga Eintracht Frankfurt.

Me largimin e Jarell Quansah drejt Bayer Leverkusen dhe të ardhmen e paqartë të Ibrahima Konaté, i cili ende nuk ka rinovuar dhe është në radarët e Real Madridit, Liverpool dëshiron ta forcojë mbrojtjen me një qendërmbrojtës të besueshëm. Marc Guehi përputhet plotësisht me profilin e kërkuar: anglez, i sigurt me topin dhe me paraqitje të mira në Euro 2024 me Anglinë.

Crystal Palace, e vetëdijshme se Guehi ka vetëm edhe një vit kontratë, është e gatshme për bisedime, por kërkon një ofertë të denjë për vlerën e tij. Përveç Liverpoolit, interes për mbrojtësin ka shfaqur edhe Tottenham, që i ofron mundësinë për të luajtur në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, preferenca e lojtarit për t’u bashkuar me Liverpoolin mund të jetë vendimtare. Nëse ky transferim mbyllet me sukses, shpenzimet e “The Reds” këtë verë do të kalojnë shifrën e 350 milionë eurove – dëshmi e ambicies së klubit për të qëndruar në elitën e futbollit evropian.



Read it all at Bota Sot