Napoli vazhdon të jetë një ndër klubet më aktive në këtë merkato vere.
Pas afrimeve të bujshme si Kevin De Bruyne, Noa Lang, Lorenzo Lucca, Sam Beukema dhe Marianucci, drejtuesit napolitanë nuk kanë ndërmend të ndalen.
Objektivi është i qartë: t’i sigurojnë trajnerit Antonio Conte një skuadër më të pasur në cilësi dhe numër për të përballuar sezonin e ri.
Në mesin e fushës, klubi ka vënë në shënjestër një emër premtues: Fabio Miretti, mesfushor i lindur në vitin 2003 dhe produkt i akademisë së Juventusit. Futbollisti vjen nga një sezon huazimi te Genoa, ku ndonëse u përball me disa probleme fizike, u shqua si një element kyç nën drejtimin e trajnerëve Gilardino dhe më pas Vieira.
Miretti pëlqehet nga Conte për shkathtësinë dhe fleksibilitetin e tij në mesfushë, ndërsa drejtori sportiv i Napolit, Giovanni Manna, e njeh shumë mirë pasi ka punuar me të teksa ishte pjesë e strukturës teknike te Juventusi.
Për momentin, duket se Miretti nuk bën pjesë në planet e trajnerit të ri të Juventusit, Igor Tudor, çka i jep Napolit dritën jeshile për të avancuar me një ofertë mes 10 dhe 15 milionë euro. Ende nuk është vendosur nëse do të jetë një transferim i plotë apo një huazim me detyrim blerjeje, por bisedimet janë aktive.